Mogherini: Negociatat në momentin që reforma në drejtësi do fillojë zbatimin

Kryeministri Edi Rama priti në takim Përfaqësuesen e Lartë të BE për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini. Pas takimit, Kryeministri Rama dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE Mogherini dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp:

Kryeministri Edi Rama: Mirëmbrëma! Së pari, e falënderoj edhe publikisht Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për kthimin përsëri në Tiranë, që është shprehje e një vëmendje të veçantë dhe e një mbështetjeje të vazhdueshme të saj dhe BE-së, në këtë kohë sfidash dhe në këtë moment kur vendoset fati i negociatave me Bashkimin Europian, duke nisur procesin e zbatimit të reformës në drejtësi me zbatimin e ligjit të vettingut.

Për këtë arsye, kjo vizitë është më e rëndësishme sesa në ditë të zakonshme, kur është gjithmonë e rëndësishme prania e partnerëve tanë strategjikë dhe për këtë arsye, ne patëm edhe një bashkëbisedim si gjithmonë miqësor, të drejtpërdrejtë dhe konkret.

Jemi absolutisht në një mendje që në ndërkohë, puna me pesë prioritetet kyçe duhet të vazhdojë intensivisht, pasi ato janë prioritete që do na shoqërojnë dhe përtej hapjes së negociatave, jemi të bindur se çka kemi filluar të bëjmë me komisionin në aspektin teknik, duke mos humbur kohë, por duke hyrë në një proces të përbashkët pune që na bën të fitojmë kohë në raport me negociatat, vjen në momentin e duhur dhe do të jetë padyshim një bashkëpunim i suksesshëm, që do të dëshmojë që Shqipëria është gati për të negociuar anëtarësimin.

Padyshim që prekem edhe çështje të natyrës rajonale, por për to do vazhdojmë të diskutojmë në darkën e përbashkët të punës. Duke marrë në konsideratë edhe ngarkesën e ditës së sotme dhe emocionet e mbledhura ballkanike nga paraditja për të ardhur deri këtu, e quajta të udhës që ta ndajmë në dy pjesë këtë bisedë, duke e diskutuar më gjerë rajonin, në tryezën e mikpritjes tradicionale shqiptare.

 

Përfaqësuesja e Lartë e BE Mogherini: Është kënaqësi për mua që kthehem sërish në Tiranë, saktësisht një vit që prej vizitës time të fundit dhe në këtë kohë Shqipëria ka arritur shumë. Në veçanti, sa i përket miratimit unanim të reformës në  drejtësi, e cila ishte dhe është një reformë shumë e madhe. Natyrisht që rëndësia e madhe e saj është njohur tashmë nga Bashkimi Europian vjet, me vendimin nga Komisioni Europian që të rekomandonte çeljen e negociatat me Shqipërinë, natyrisht në varësi të ecurisë dhe zbatimit të reformës në drejtësi dhe në veçanti vettingut dhe 5 prioriteteve kyçe.

Këtu përfshihet lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe në veçanti kultivimi dhe trafikimi i narkotikëve. Mesazhi im sonte është ky; që nga ana e Bashkimit Europian, ne jemi  gati, ashtu si kemi qenë dhe vjet, që të vazhdojmë të jemi të besueshëm e të çelim negociatat me Shqipërinë në momentin që zbatimi i reformës në drejtësi dhe në veçanti vettingut do të fillojë në Shqipëri.

Tani e keni radhën ju. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë gjë, jemi të gatshëm që të shikojmë ritmin e kësaj reforme, pra, progresin, ecurinë e saj. Unë kam qenë shumë e qartë në takimet e mia të sotme.

Jam takuar me kryetarin e Kuvendit, me kryetarët e grupeve parlamentare, me opozitën dhe kam qenë shumë e qartë në atë që kam thënë se ata që po përpiqen të vonojnë, ose të ulin ritmin e këtyre reformave, do të rrezikojnë integrimin në Bashkimin Europian.  E kam thënë këtë dhe më herët me studentët në Universitetin e Tiranës. Mu krijua një përshtypje fare e qartë se qytetarët e Shqipërisë qartësisht duan që vendi të bëhet shtet anëtar i BE-së dhe Bashkimi Europian është i gatshme që të jetë serioz dhe konsistent në çeljen e negociatave.

Unë po ashtu kam qenë e qartë që bojkoti i parlamentit do të thotë bllokimi i krijimit të komisioneve të vettingut dhe de facto, kjo ndal procesin e progresit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo, në një moment kur vendi juaj ka mundësinë e vërtetë që të ecë përpara në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Unë e kam përçuar këtë mesazh fare qartë, po vazhdoj ta bëj këtë dhe e di që ka pasur sinjale sot për një hapësirë përsa i përket dialogut brenda parlamentit dhe shpresoj që kjo hapësirë të përdoret në mënyrë që të ketë ecuri në këtë rrugë.

Siç e thashë, po ashtu dhe publikisht më parë në praninë e Ministrit Bushati, Bashkimi Europian, dera e BE-së është e hapur për Shqipërinë dhe ne me zor presim t’ju urojmë mirëseardhjen në BE. Negociatat mund të fillojnë në momentin që reforma në drejtësi do të fillojë zbatimin e saj.

Unë po ashtu besoj që është kyçe që të ketë përgatitje për zgjedhjet në mënyrë të lirë e të ndershme në këto kohë që ka mbetur, në këto muaj që ka mbetur të përdoren disa rekomandime të OSBE/ODIHR-it dhe Bashkimi Europian do të jetë i gatshëm ta shoqëroje dhe ta mbështesë këtë proces me të gjitha mënyrat tona të mundshme.

Ashtu siç e tha zoti Kryeministër, ne do të vazhdojmë të diskutojmë më tej  dinamikën rajonale, rolin e Shqipërisë në rajon, përgjegjësitë e saj, përgjegjësitë e Shqipërisë në kontributin që jep për bashkëpunimin rajonal dhe po ashtu dhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe për t’u përpjekur për të shmangur çfarëdolloj retorike ndezëse, inflamatore, që ajo të mos përhapet në rajon. E për këtë, Shqipëria është natyrisht shumë europiane, më duhet ta them këtë. Jo vetëm Shqipëria në fakt, por i gjithë rajoni. E këtu, ne kemi një dimension të  veçantë. Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon dhe ne do të vazhdojmë ta diskutojmë këtë gjatë vazhdimit të takimit tonë.

Dëshiroj që në mbyllje të falënderoj së pari Kryeministrin e Shqipërisë, Ministrin e Jashtëm, të gjithë institucionet, udhëheqësit politikë që kam takuar, por, nëse më lejoni, edhe një fjalë të fundit për kolegët, jo vetëm kolegët shqiptarë në Bruksel, por dhe kolegët e BE këtu në Tiranë për punën e tyre shumë të madhe që kanë bërë gjatë këtij viti të shkuar e që do të vazhdojnë ta bëjnë edhe gjatë javëve të muajve në vijim, me shpresën se do të çohet  më tej ky proces e për këtë kanë besimin dhe mbështetjen time të plotë.

Është në sajë të punës së tyre të dedikuar dhe me angazhimin e tyre që ne kemi  arritur deri në këtë hap kaq të rëndësishëm. E unë besoj që udhëheqja shqiptare, e gjithë udhëheqja e Shqipërisë do të shmangë humbjen e kohës, ashtu siç keni arritur të bëni dhe korrikun e vitit të shkuar, në mënyrë që ta sillni Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Faleminderit!

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00