Zv.Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të R.Sh, znj. Megi Fino mori pjesë në Takimin e ministrave të jashtëm të Koalicionit Global për shkatërrimin e ISIS (D-ISIS), që u zhvillua në Marrakech, Marok, më 11 Maj 2022, nën bashkë kryesimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ministrisë së Jashtme dhe Bashkëpunimit Afrikan të Mbretërisë së Marokut.
Takimi i ministrave të jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të Koalicionit Global të luftës kundër ISIS, përbën një event të rëndësishëm dhe kontribues në orientimin, bashkimin e përpjekjeve globale, shprehjes dhe riafirmimit të vendosmërisë dhe angazhimit të vendeve partnere në Koalicion, për një fitore të qëndrueshme kundër terrorizmit ndërkombëtar, mbi bazën e zbatimit të kërkesave të së drejtës dhe akteve ndërkombëtare, posaçërisht të rezolutave të KSOKB.
Në ndërhyrjen e saj, Zv.Ministrja Fino evidentoi rolin, angazhimin dhe kontributin pro aktiv që Shqipëria synon të japë, për paqen dhe sigurinë, dhe rolit prioritar që vendi ynë i ka dhënë luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, duke e vendosur atë edhe në fushat prioritare të angazhimit tonë si Anëtar jo i Përhershëm i KSOKB.
Duke qenë një nga vendet e para, pjesë e aksionit të përbashkët politik ndërkombëtar në kuadër të Koalicionit Global kundër ISIS, Shqipëria rikonfirmoi edhe një here qëndrimin e saj, krahas vendeve partnere në Koalicion, për vazhdimin e luftës kundër ISIS, kundër terrorizmit, mbi bazën e zbatimit të kërkesave të së drejtës ndërkombëtare, si dhe u shpreh për mbështetje dhe angazhim të mëtejshëm të Koalicionit në rindërtimin e paqes në zonat e konfliktit.
Në Deklaratën e përbashkët të miratuar në Takim, u bëhet thirrje partnerëve në Koalicion që të jenë vigjilentë e të punojnë së bashku ndaj çdo forme të shfaqjes së rrezikut terrorist, në çdo rajon të botës, në përgjigje të kërkesës dhe konsensusit të këtyre vendeve dhe në zbatim të plotë të së drejtës ndërkombëtare.