Raporti i Komisionit Europian është dokumenti më i rëndësishëm i “dosjes së zgjerimit” të BE-së, i cili vlerëson ecurinë e vendeve aspirante në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Raporti i sivjetshëm i vlerëson këto reforma jo vetëm për gjatë një viti, por edhe në termat e gatishmërisë së vendeve të rajonit, bazuar mbi një metodologji të aplikuar për herë të parë.
Raporti njeh përpjekjet dhe vullnetin politik të qeverisë shqiptare në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe dhe qëndrueshmërinë e reformave të lidhura me to. Në këtë mënyrë, Raporti është në vetvete një udhërrëfyes për hapat që duhen ndërmarrë nga institucionet shqiptare dhe aktorët politikë me qëllim sigurimin e mbështetjes për fillimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim në BE.
Shqipëria vlerësohet për linjëzimin e politikës së jashtme me atë të BE-së, si një aktor aktiv në rajon, marrëdhënie solide me fqinjët dhe partnere konstruktive në “Procesin e Berlinit”.