Në emër të Republikës së Shqipërisë, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka nënshkruar ditën e sotme një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Bashkimit Europian, që garanton pjesëmarrjen e vendit tonë në programin e drejtësisë të BE-së.
Ky memorandum është firmosur në Bruksel ndërmjet Ministrit Manjani dhe Komisioneres për Drejtësinë, Znj. Vera Jourova.
Gjatë takimit me Komisioneren Jourova, pas nënshkrimit të memorandumit, Ministri Manjani është ndalur në rëndësinë e miratimit të amendamenteve kushtetuese, duke e cilësuar këtë proces mjaft pozitiv për ecurinë e mëtejshme të reformës në drejtësi.
Z. Manjani theksoi se ky hap i parë tregoi se klasa politike shqiptare e ka vullnetin për gjetjen e hapësirave për konsensus.
Znj. Jourova e ka përgëzuar Ministrin Manjani për nënshkrimin e këtij memorandumi dhe u shpreh e kënaqur mbi mbështetjen e deritanishme që Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë.
Njëkohësisht znj. Jourova vuri në dukje rëndësinë e inkurajimit të mëtejshëm të proceseve reformuese, veçanërisht atyre në drejtësi.
Duke iu referuar çështjes së "vettingut", Komisioneria Jourova vlerësoi se aktualisht, zbatimi i reformës në drejtësi çel një periudhë mjaft të mprehtë politike, ndërsa u shpreh se ky proces duhet të shërbejë për rritjen e besimit tek qytetarët sikundër edhe tek shtetet e tjera.
Lidhur me procesin e "vettingut", Ministri Manjani sqaroi se ai mbetet nga proceset më imediate të zbatimit të reformës në drejtësi, ndërsa e sqaroi Komisioneren Jourova lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit të ri ligjor, për të cilin informoi se gjatë seancës plenare të parlamentit në datën 6 tetor pritet dhe miratimi i gjashtë ligjeve të tjera, për të cilat Ministri Manjani vuri në dukje se ekziston vullneti se do të votohen.
"Pritshmëria jonë është marrja e një rekomandimi pozitiv për të vijuar më pas me çeljen e negociatave", u shpreh ndër të tjera Ministri Manjani.
Në objektivat kryesore të tij, ky memorandum përfshin lehtësimin dhe mbështetjen në bashkëpunimin gjyqësor për çështjet civile dhe penale, nxitjen e trajnimit gjyqësor, duke përfshirë trajnimin mbi terminologjinë juridike, me qëllim nxitjen e një kulture të përbashkët ligjore dhe gjyqësore si dhe lehtësimin e qasjeve efektive për të gjithë në drejtësi, duke mbështetur të drejtat e viktimave të krimit, si dhe duke respektuar në të njëjtën kohë të drejtat e mbrojtjes.
http://ec.europa.eu/avservices/photo/photoByReportage.cfm?ref=032524&sitelang=en