KOMUNIKATË E PËRBASHKËT PËR MEDIA
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës
Shqipëria dhe Kosova harmonizojnë kalendarin e aktiviteteve të përbashkëta në diplomacinë publike.
Grupi i Përbashkët i Punës i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, në takimin e parë të mbajtur në Prishtinë, është dakorduar për harmonizimin e kalendarit të aktiviteteve në fushën e diplomacisë publike.
Grupi i Përbashkët i Punës është dakorduar që disa nga ngjarjet historike si: 17 janari – Përkujtimi i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu; 17 shkurti – Dita e Pavarësisë së Kosovës; 10 qershori – Shënimi i Lidhjes së Prizrenit; 28 nëntori – Dita e Flamurit, dhe të tjera ngjarje me rëndësi, të jenë të përbashkëta kudo në diasporë dhe të organizohen në bashkëpunim nga titullarët e përfaqësive diplomatike në shtetet pritëse.
Grupi i Përbashkët i Punës është pajtuar po ashtu që nga ky vit, Edicioni i mirënjohur tashmë “Colours of Albania”, të bashkë-organizohet nga të dy ministritë e jashtme, tani e tuje me emërtimin “Colours of Albanians”, në mënyrë që të promovojë jo vetëm turizmin dhe kulturën në të dy vendet, por në të gjitha trojet shqiptare, dhe në veçanti të rrisë interesin shumëdimensional tek të huajt mbi Shqipërinë dhe Kosovën.
Po ashtu është rënë dakord që të ketë të paktën njëherë në vit një aktivitet artistik me artistë nga Shqipëria dhe Kosova; që përfaqësitë diplomatike të thellojnë angazhimin në fushatën e shpërndarjes së librave për shkollat shqipe, të ketë fushatë të përbashkët për krijimin/pasurimin e bibliotekave të unifikuara në shkollat e mësimit të gjuhës shqipe, etj.
Përveç “Colors of Albanians” dhe harmonizimit të kalendarit për aktivitete të tjera të përbashkëta, Grupi i Punës është dakorduar që brenda marsit të shkëmbejë legjislacionin përkatës në fuqi, në mënyrë që të krijohen mundësitë edhe për hapjen e qendrave kulturore të përbashkëta në diasporë.
Grupi i Përbashkët i Punës vendosi që takimi i radhës të mbahet së shpejti në Tiranë, duke vlerësuar se Marrëveshja e dy ministrive “Mbi bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme” – zbatimi i “Protokollit Zbatues për bashkëpunim në fushën e diplomacisë kulturore”, do të zvogëlojë koston e shpenzimeve, që janë bërë deri më tani për aktivitete të ngjashme nga të dy palët, do të mbrojë edhe më mirë interesat e përbashkëta të Shqipërisë dhe Kosovës dhe do t’i bashkojë edhe më shumë shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve të tyre