Me mbështetjen dhe sponsorizimin e Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bruksel:
Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 10-të të Festivalit Ndërkombëtar Kulturor 'Balkan Trafik' që do të zhvillohet në Bruksel më 14 – 17 Prill 2016 me grupin e mirënjohur muzikor të përbërë nga solistja e njohur e skenës sonë Vikena Kamenica me 'Keli Band' dhe grupin e njohur popullor 'Ali Pasha'. Pjesëmarrja me një grup të tillë elitar premton për sukses në këtë ngjarje madhore kulturore të vendeve të rajonit tonë dhe më gjerë në kryeqytetin europian.
Për tre ditë me radhë, jo vetëm mjediset në BOZAR, por edhe Grand Place dhe sheshe të tjera të Brukselit do të përcjellin vlerat, këngët, vallet, muzikën dhe kulturën e Evropës Juglindore dhe vendeve të tjera.
Falë edhe kontributit të disa shoqatave kulturtore shqiptare sidomos ΄ALBABEL΄, ΄VATRA΄ dhe ΄KONICA΄, gjatë këtij edicioni jubilar do të jenë të pranishëm edhe grupet dhe muzikantët e mëposhtëm popullorë:
* Ansambli i mirënjohur i Këngëve dhe Valleve Popullore i Brukselit ΄Vatra΄;
* Aktorja Anila Dervishi me ΄Fabula dhe Legjenda΄ të mbledhura dhe botuara nga publicisti i njohur Safet Kryemadhi, me regji të Zenel Laçit;
* Grupi polifonik i Gramoz Gjinit, fizarmonicistët Ymer Abazi dhe Gjovalin Nunaj, kitaristi Kelmend Goxhaj, këngëtarët popullorë Muhamet Abvdija dhe Shaqir Cervadiku, etj.
Edhe Kosova do të jetë e pranishme në këtë Festival me grupin e njohur ΄Zig Zag΄ dhe këngëtarin Dren Abazi, etj.
Me këtë rast, në mjediset e BOZAR do të ketë dhe një stendë me materiale të shumta mbi zhvillimin dhe mundësitë e turizmit në Shqipëri, që do të hapet me mbështetjen e Ambasadës së RSH dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit të vendit tonë. Ashtu si dhe vitin e kaluar, pjesëtarët e Shoqatës aktive kulturore të studentëve ΄VLERA΄ do të japin kontributin e tyre të njohur.
Ky Festival do të mbyllet me një manifestim të madh kulturor në sheshin Grand Place, ditën e diel, më 17 Prill 2016, që do të fillojë në orën 14:00, në prani të mjaft personaliteteve belge dhe të Bashkimit Europian. Me këtë rast do të përshëndesë të pranishmit edhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Belgjikë dhe Kreu i Misionit pranë Bashkimit Europian, znj. Suela Janina.
Ftojmë të gjithë bashkatdhetarët tanë së bashku me miqtë, kolegët dhe dashamirësit e huaj që të bëhen pjesë e këtij manifestimi të madh kulturor dhe artistik.
***************************
Programi i shfaqjeve dhe koncerteve të Grupit ΄Vikena Kamenica & Keli Band΄ dhe ΄Ali Pasha΄:
E Premte, 15 Prill 2016
Ora 20:30 – 21:00 shfaqje në ΄Vino Zirkus΄, Bozar
E Shtunë, 16 Prill 2016:
Ora 17:30 – 18:15 – Koncerti zyrtar në Bozar, Salla ΄M
Ora 22:45 – 23:15 - Shfaqje në ΄Vino Zirkus΄ në Bozar
E Diel, 17 Prill 2016:
Ora 16:30 – 17:00 - Të ftuar nderi në mainfestimin e madh kulturor festiv në sheshin Grand Place me rastin e përfundimit të Festivalit.
Për më shumë Info mbi Festivalin ‘Balkan Trafik’, programin e koncerteve dhe sigurimin e biletave mund të klikoni në www.balkantrafik.com, si dhe në faqen zyrtare në rrjet të Ambasadës së RSH :
http://www.ambasadat.gov.al/belgium/
*******************************
VIKENA KAMENICA është një nga artistet më të shquara të brezit të saj në Shqipëri. Vajzë e dy këngëtarëve të operas, Vikena shkëlqeu sidomos gjatë diplomimit të saj në Akademinë e Muzikës në Tiranë në vitin 2001. Ndërsa më 2004-2006 ajo vijoi studimet në CEE Music-Theater në Vjenë.
Në vitin 2008 Vikenës iu dha çmimi prestigjoz 'Sommer Akademie' mirënjohur 'Kult' në Shqipëri, Vikena është gjithashtu e shquar si këngëtare xhazi dhe për performancat e saj në komedi muzikore. Disa nga koncertet e saj të veçanta përfshijnë ‘Këngët napolitane’, ‘Serenatat korçare’dhe ‘Koha e qershive’. Po ashtu ajo njihet për përformancën si soliste me Teatrin Muzikor Ndërkombëtar.
Nga viti 2001 ajo është soliste në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, duke performuar brenda dhe jashtë vendit në shumë role kryesore të kryeveprave të muzikës klasike botërore. Po ashtu ajo njihet për përformancën si soliste me Teatrin Muzikor Ndërkombëtar, me rastin e 100 vjetorit të Broadway, në role si Esmeralda in 'Notre Dame de Paris', Zonja Montague në 'Romeo and Juliette', Mama Morton në 'Çikago' dhe të tjera.
Vikena Kamenica ka bërë emër edhe në interpretimin virtuoz të këngëve popullore tradicionale si dhe të alternativave të reja si ethno-jazz, turbo-folk, etj.
Ajo ka punuar nga afër edhe me disa prej dirigjentëve të njohur dhe me drejtorë të vendeve të tjera me përvojë ndërkombëtare.
Gjatë dy viteve të fundit, Vikena Kamenica është bërë pjesë e njërit prej grupeve më të suksesshme muzikore ‘Keli Band’, me të cilin do të performojë edhe në edicionin e 10-të të Festivalit ‘Balkan Trafik’ në Bruksel.
*********************************
‘KELI BAND’ është formacion muzikor i formuar rreth viteve 2008 nga lideri i këtij grupi saksofonisti Brikel Guga dhe përbëhet nga muzikantë profesionistë, kryesisht shqiptarë. Në repertorin e tyre janë lëvruar rryma të ndryshme muzikore, nga Jazz deri në ato eksperimentale. Janë pjesëmarrës në disa festivale Jazz dhe të përfshirë në shumë projekte muzikore në Shqipëri dhe jashtë saj.
Së fundi, ‘Keli Band’ ka arritur të eksperimentojë, duke bërë një përshtatje perfekte të tingujve dhe melodive tradicionale shqiptare me ato moderne, duke sjellë kështu një novacion dhe zhvillim të muzikes shqiptare dhe më tej.
Gjatë viteve të kaluara, ‘Keli Band’ ka realizuar përmbledhjen muzikore ‘Independent Days’ kryesisht me Standart Jazz si dhe ‘Night Love’.
Gjatë vitit 2016 ‘Keli Band’ do të lançojë albumin e ri ‘RRENJE TE LARGETA’ në bashkëpunim me znj. Vikena Kamenica, duke sjellë kështu një tjetër parfum në krijimtarinë dhe karrierën e tyre.
**********************************
Grupi muzikor ‘ALI PASHA’ është krijuar në vitin 1992 në qytetin e Tepelenës.
Popullariteti i tij u rrit veçanërisht pas botimit të dy albumeve muzikore, i pari në vitin 2000 dhe tjetri më 2002. Albumi i parë vendosi një ndër rekordet më të mëdha të shitjeve të muzikës popullore e qytetare.
Grupi është i njohur për lëvrimin e muzikës popullore të Jugut, asaj folklorike, qytetare, etno - folk, madje edhe etno - Jazz.
Grupi ka një repertor prej afro 100 këngësh, prej të cilave rreth 30 janë krijime të mirëfillta të pjestarëve të tij. Në rrjedhën e viteve Grupi ka ndryshuar përbërjen e tij, duke e freskuar atë me artistë të ndryshëm; por, bërthama e tij mbetet dueti i mirënjohur Alfred Shehu dhe Ferdi Ibrahimi
‘Ali Pasha’ ka marrë pjesë në spektaklet më të spikatur të televizioneve, si: 'Maratona e Këngës Popullore', '100 Këngët e Shekullit', '100 Vjet Muzikë', dhe 'Porta e Fatit' realizuar në Televizionin Klan; 'Top Show' realizuar në Top Channel; festivalet e muzikës popullore në TVSH, etj.
----------------------------------------