Me datë 18 maj 2017, në Misionin e R.Sh pranë BE-së u organizua një takim i Ambasadores Janina dhe stafit të Misionit me pjesëmarrësit e grupit LEAD Albania 2017 (Leadership Experience And Development) të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), që po bëjnë aktualisht një tur studimor në institucionet evropiane në Bruksel.
Takimi shërbeu për një ndarje mendimesh lidhur me situatën në BE dhe proçesin e ardhmërisë së saj deri në 2025, si dhe fokusimin gjeostrategjik tek rajoni i Ballkanit Perëndimor, për shkak të zhvillimeve të brendshme në vendet e rajonit, që mund të çojnë në destabilitet dhe ndërhyrjes së aktorëve të tretë që përpiqen të devijonë proçeset e integrimit evropian e euroatlantik të vendeve të rajonit.
Të pranishmit u informuan për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë pas marrjes së rekomandimit nga Komisioni Evropian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në raportin për Shqipërinë 2016, reflektimin në praktikë të mandatit të Këshillit për intensifikimin e bashkëpunimit teknik mes Komisionit Evropian dhe Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit dhe pritshmëritë për vijimin e proçesit në 2017-ën, në dritën e zhvillimeve pozitive politike në Shqipëri.