Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe Shqipërisë si dhe Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë u takuan në Tiranë, për të diskutuar zhvillimet e fundit, nivelin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis e BE-së në fushat e transportit, energjisë, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike dhe zhvillimit rajonal.
Takimi u kryesua për palën shqiptare nga Z. Sokol Dedja, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe për delegacionin e BE-së nga Z. Detlev Boeing, koordinator i MSA-së dhe përgjegjës për konektivitetin në Njësinë për Shqipërinë dhe Bosnje e Hercegovinën, në Drejtorinë për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.
Për konektivitetin, Komisioni vuri re disa përparime që nga Samiti i Londrës. Shqipëria në mënyrë aktive vazhdon të mbështesë aktivitetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë agjendën e Konektivitetit dhe masat e reformave të lidhura me të. BE i bëri thirrje Shqipërisë njëkohësisht të rrisë përpjekjet për zbatimin e masave të reformës së konektivitetit në fushat e transportit dhe energjisë.
Në fushën e transportit, Shqipëria raportoi mbi masat e fundit që synonin përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Komisioni rikujtoi nevojën për përpjekje të vazhdueshme për rrugë më të sigurta dhe zhvillimin e sistemeve inteligjente të transportit në transportin rrugor. Shqipëria është plotësisht e angazhuar për të vijuar me miratimin e legjislacionit zbatues të Kodit të Hekurudhor dhe ngritjen e autoriteteve hekurudhore. Komisioni njohu disa përmirësime në sigurinë ajrore dhe në menaxhimin e trafikut ajror. Shqipëria duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë përmirësimit të cilësisë së anijeve që lundrojnë nën flamurin e saj.
Për energjinë, Komisioni vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë për kalimin drejt energjive të pastra, sikurse u konfirmua në takimin e fundit të Ministrave të energjisë dhe mjedisit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Podgoricë. Megjithatë, reforma e sektorit të energjisë elektrike duhet të përshpejtohet. Përparimi i mirë në sektorin e gazit duhet të ndiqet nga forcimi i kapaciteteve administrative dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Strategjia Kombëtare e Energjisë 2018 – 2030 duhet të ishte përshtatur më mirë me angazhimet e Marrëveshjes së Parisit mbi Ndryshimet Klimatike. Komisioni i bëri thirrje Shqipërisë që të përshpejtojë përafrimin e legjislacionit të saj mbi eficencën e energjisë, duke respektuar detyrimet që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.
Komisioni përshëndeti përpjekjet e mëtejshme për përafrimin e acquis së BE-së në fushën e mjedisit, por tregoi rezervat e saj në lidhje me vendimin e Shqipërisë për të pezulluar planet për një strategji ndërsektoriale të mjedisit. BE-ja përshëndeti synimin e Shqipërisë për të rishikuar investimet e mëdha aktuale ose të planifikuara në energjinë hidrike duke pasur parasysh kërkesat e legjislacionit mjedisor të BE-së (p.sh. vlerësimin e ndikimit në mjedis) dhe mbrojtjen e natyrës dhe pret veprime konkrete të menjëhershme. Sektorët e menaxhimit të ujit dhe mbetjeve vazhdojnë të kërkojnë investime të konsiderueshme dhe forcimin e monitorimit. Komisioni pret përparim të mëtejshëm në transpozimin e direktivave kryesore të ujit të BE-së dhe në forcimin e agjencive zbatuese. Lufta kundër ndotjes nga lëndët plastike dhe përmirësimi i cilësisë së ajrit në qytete mbeten sfida të veçanta për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Komisioni gjithashtu, pret forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes civile nëpërmjet miratimit të një ligji të ri dhe ngritjes së një agjencie të specializuar.
Sa i përket ndryshimeve klimatike, Komisioni i bëri thirrje Shqipërisë që të miratojë Strategjinë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike dhe planet përkatëse të veprimit dhe përshtatjes. Shqipëria duhet t’i kushtojë vëmendje përafrimit të legjislacionit me acquis e BE-së për klimën. Shqipëria duhet të adresojë nevojat për rritjen e personelit dhe aftësive të tij mbi masat për klimën dhe të sigurojë struktura adekuate shtetërore për ndryshimet klimatike. Komisioni dhe Shqipëria shkëmbyen pikëpamje edhe mbi zhvillimin rajonal dhe përparimin në masat ligjore dhe institucionale në këtë fushë.