Takimi i Komitetit të Monitorimit të IPA-s, Tiranë, 21 Maj 2019

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në rolin e saj si Koordinator Kombëtar i Instrumentit të Para-aderimit (KKIPA), organizoi Komitetin e Monitorimit të Instrumentit të Para-aderimit (IPA), në 21 Maj 2019.

Komiteti është një takim i nivelit të lartë që mblidhet një herë në vit. Këtë vit, takimi u bashkëkryesua Z. Sokol Dedja, Zëvendës Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme si Koordinatori Kombëtar i fondeve IPA dhe Z. Georg Ziegler, Zëvendës Drejtues i Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnjë Hercegovinën, DG NEAR (Komisioni Evropian).

Qëllimi i këtij takimi është rishikimi i progresit të përgjithshëm në implementimin e asistencës financiare, si dhe diskutimi mbi çështjet e ndryshme të menaxhimit të portofolit IPA në Shqipëri.

Situata aktuale e projekteve më të rëndësishme në zbatim u rishikua, duke përfshirë kontratat e reformës sektoriale si Reforma në Administratën Publike, Menaxhimi i Financave Publike, Punësimi dhe Aftësimi, Reforma në Drejtësi dhe Kontrata Anti-korrupsion.

Takimi i këtij viti u fokusua në diskutimin në detaje për 3 sektorë: (i) Demokracia dhe Mirë-qeverisja (ii) Sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore (iii) Arsimi, Punësimi dhe Mbrojtja Sociale. Të gjithë projektet në zbatim ose të përfunduar gjatë vitit 2018 u shqyrtuan, duke evidentuar progresin në zbatimin e aktiviteteve, arritjen e treguesve të rënë dakord në dokumentet programuese, problemet në zbatim, masat korrektuese të ndërmarra ose të planifikuara për vitin në vijim.

Për herë të parë gjatë vitit 2018 u ngritën në Shqipëri, si vend përfitues i fondeve të BE-së IPA II, Komitetet Sektoriale të Monitorimit. Këto Komitete janë pjesë e mekanizmit të integruar sektorial drejtuar nga Zyra e Kryeministrit dhe MEPJ në rolin e Koordinatorit Kombëtar të IPA-s. Gjatë vitit 2019, u zhvilluan takimet e para të Komiteteve në sektorët e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Punësimit, Transportit, në sektorin Ujësjellës-Kanalizime, Konkurrueshmëria dhe Inovacioni. Bazuar në kuadrin ligjor, takimet e Komiteteve Sektoriale do të mbahen 2 herë në vit. Në takimet e muajit maj 2019, u mor shqyrtim portofoli i projekteve IPA për secilin sektor, duke ekzaminuar ecurinë e zbatimit dhe planin e veprimit për vitin 2019. Konkluzionet e këtyre takimeve u prezantuan në Komitetin Monitorues Shqipëri-BE, të datës 21 Maj. Gjatë muajit qershor janë planifikuar takimet e Komiteteve Sektoriale për sektorët (i) Demokracia dhe Mirëqeverisja dhe (ii) Sundimi i Ligjit dhe të drejtat themelore. Raundi i dytë i takimeve të Komiteteve Sektoriale do të mbahet në Tetor-Nëntor 2019.

Gjatë sesionit të dytë të takimit të Komitetit të Monitorimit të IPA-s, u prezantuan edhe projektet nën Instrumentin për Investime në Ballkanin Perëndimor, pjesëmarrja e Shqipërisë në Programet Evropiane, projekti i granteve për shoqërinë civile lidhur me çështjet e Integrimit Evropian, programet IPA rajonale (multi-country) si dhe programet nën Bashkëpunimin Territorial dhe rajonal.

Në këtë takim u shqyrtua progresi në menaxhimin e paketës së programeve në mënyrë indirekte nën programet e viteve 2012, 2013, 2014, 2015, 2017, përfshirë tenderimin, zbatimin, disbursimin, parregullsitë si dhe rezultatet e auditimit për vitin 2018, si dhe çështjet e funksionimit të sistemit kombëtar të menaxhimit dhe kontrollit nën metodën e zbatimit indirekt.

Në kuadër të rritjes së transparencës dhe për të siguruar gjithëpërfshirjen e aktorëve në proces, ishin ftuar të marrin pjesë në punimet e Komitetit të Monitorimit të IPAs përfaqësues të organizatave të Shoqërisë Civile, Anëtarë të Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile dhe përfaqësues të shteteve anëtare.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00