Në datën 6 korrik, Delegacioni i PE në Komitetin Parlamentar të Asocim-Stabilizimit BE-Shqipëri zhvilloi në Strasburg, një takim të posacëm mbi zgjedhjet parlamentare në vendin tonë. Në takim u ftuan për të shkëmbyer pikëpamje mbi zhvillimin e zgjedhjeve dhe situatën politike në vend Ambasadorja në BE znj. Suela Janina, z. Eduard Kukan në cilësinë e tij si kreu i delegacionit vëzhgues të PE, z. Georg Ziegler zv.shefi i njësisë për Shqipërinë dhe B&H në DG Near.
Ambasadorja falenderoi delegacionin e kryesuar nga z. Eduard Kukan për përgjigjen pozitive të ftesës për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe për kontributin e tij në kuadër të Misionit Ndërkombetar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve. Ambasadorja informoi eurodeputetet mbi procesin parazgjedhor, pjesemarrjen dhe rezultatet e zgjedhjeve duke ndarë me ta vlerësimin tonë se objektivi për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është realizuar, duke evidentuar përmirësimet që këto zgjedhje sollën krahasuar me të gjitha zgjedhjet e mëparshme si në kuadrin legjislativ të plotësuar pas marrëveshjes politike të 19 majit, ashtu edhe në plotësimin e standardeve të kërkuara nga OSBE/ODHIR.
Eurodeputetet, anëtare të delegacionit përgëzuan për zhvillimin e zgjedhjeve të qeta, të lira dhe të ndershme në vendin tonë. Në takim u diskutuan dhe çështjet që do të adresohen në rekomandimet që do të dalin nga raporti përfundimtar i OSBE/ODHIR, të cilat autoritetet tona do t'i përmbushin në mënyrë objektive dhe në kohën e duhur.
Kalimi me sukses i testit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet e OSBE/ODHIR, krahas ecurisë në zbatimin e reformës në drejtesi, janë inkurajues për avancimin e vendit në procesin e integrimit europian.