Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Sokol Dedja merr pjesë në takimin informal të përfaqësuesve të vendeve kandidate për anëtarësim në BE

Më 11 mars 2019, Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Sokol Dedja, mori pjesë në takimin informal të përfaqësuesve të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, të organizuar nga Presidenca Rumune, në margjinat e takimit informal të ministrave për çështjet evropiane të vendeve anëtare.

Eventi ofroi një mundësi të mirë për nxitjen e dialogut mes vendeve kandidate, ku pjesëmarrësit diskutuan dhe shkëmbyen mendime mbi gjendjen aktuale të reformave të brendshme në secilin vend, si dhe mbi perspektivën e avancimit të marrëdhënieve të tyre me BE-në.

Mikpritësi i takimit, Ministri Rumun për Çështjet Evropiane, George Ciamba, në fjalën e tij, shprehu mbështetjen e Rumanisë ndaj politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe mbajtjes së saj midis prioriteteve të Unionit, duke nënvizuar ndër të tjera edhe suksesin që kjo politikë ka patur, si edhe vlerën e shtuar që ajo i ka sjellë vetë BE-së në tërësi. Në këtë drejtim, ai inkurajoi vendet kandidate të mbeten të angazhuara në përpjekjet e tyre për realizimin e reformave, të cilat kanë një rol thelbësor në modernizimin dhe transformimin e shoqërive dhe në krijimin e zhvillimeve pozitive në kuadër të politikës së zgjerimit, në përputhje me konkluzionet e Këshillit të Qershorit 2018.

Nga ana e tij, Zëvendësministri Dedja, shprehu mirënjohjen për përpjekjet e Rumanisë në drejtim të avancimit të politikës së zgjerimit të BE-së, duke e vendosur si prioritet të agjendës së Presidencës së saj. Po ashtu, z. Dedja vlerësoi faktin që, Rumania do të vazhdojë të promovojë arritjet e vendeve kandidate në procesin e reformave, si në Këshillin e BE-së, ashtu edhe në dialogun me institucionet e tjera evropiane, nën dritën e Paketës së ardhshme të Zgjerimit, që do të publikohet nga Komisioni Evropian deri në fund të muajit maj.

Ndërkohë, pjesëmarrësit në takim theksuan mbështetjen e tyre për forcimin e projektit evropian, me theks të veçantë tek kontributi që politika e zgjerimit jep për një Evropë më të fortë dhe më të bashkuar.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00