![](https://ambasadat.gov.al/european-union/sites/default/files/styles/article/public/field/image/18-02-28-04-09-24big_dralo.jpg?itok=89mEdeXm)
Në datën 28 shkurt 2018, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Dralo mbajti fjalën në Segmentin e Nivelit të Lartë të sesionit të 37-t të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, ku vlerësoi aktivitetin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë globin.Duke vlerësuar eksperiencën e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut për periudhën 2015-2017, u evidentua kontributi i vendit tonë në këtë forum të rëndësishëm, roli që ai ka luajtur si në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe qëndrimet që ka mbajtur në vendimmarrjet e tij.
Zv. ministrja Dralo u ndal gjithashtu në përkeqësimin e situatës së të drejtave të njeriut në disa vende të caktuara të botës si në Siri, Sudanin e Jugut, Burundi, Iran, Korenë e Veriut, etj., si dhe mbi fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm, adresimi i të cilave kërkon angazhimin e të gjithë vendeve anëtare të KDNJ-së dhe shprehu mbështetjen e Shqipërisë në përpjekjet ndërkombëtare.
Viti 2018 shënon 25 vjetorin e miratimit të Deklaratës së Vjenës mbi Programin e Veprimit dhe 70 vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Është momenti që të reflektojmë mbi angazhimet e ndërmarra në vite dhe për rezultate konkrete për promovimin e universalitetit të të drejtave të njeriut dhe garantimin e tyre.