Një ditë përpara çeljes së punimeve të Samitit te Diasporës, Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Bibliotekën Kombëtare organizuan sot ceremoninë e dorëzimit të librave të Faik Konicës. Koleksioni i librave të Faik Konicës janë dhuratë nga Katedralja e “Shën Gjergjit” dhe “Biblioteka e Fan Nolit” në Boston, dhe iu besuan në mënyrë simbolike Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati gjatë vizitës së tij në Sh.B.A.
Dorëzimi i tyre jetëson amanetin e Faik Konicës, që ato të jenë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare, si dhe përmbush angazhimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për t’i sjellë në Tiranë. Ministri Bushati, në fjalën e rastit, vlerësoi personalitetin e Faik Konicës, si një nga diplomatët më të denjë dhe një nga përfaqësuesit më të spikatur të komunitetit shqiptar në SH.B.A. Ai gjithashtu u ndal në mënyrë të veçantë në rolin e Diasporës Shqiptare në formësimin e kombit dhe kontributin e saj në momente të veçanta të vendit, si dhe theksoi se në funksion të vendosjes së një marrëdhënieje të re dhe më të strukturuar me Diasporën, Qeveria shqiptare do të organizojë nesër në Tiranë, Samitin e parë të Diasporës shqiptare, (18-20 nëntor).
Ministrja e Kulturës Kumbaro nënvizoi se intelektuali dhe diplomati Faik Konica ka shënjuar fort historinë e letrave shqip dhe diplomacinë shqiptare. Ajo falënderoi Ministrin Bushati për angazhimin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për të bërë të mundur plotësimin e amanetit të Konicës, duke mundësuar përmes bashkëpunimit të ngushtë të dy Ministrive, sjelljen në BKSH, të kësaj sasie librash të bibliotekës së Faik Konicës të cilat u mundësuan falë punës e kontributit të përfaqësuesit të komunitetit të shqiptareve të Amerikës, Agron Alibali.
Në vazhdën e aktiviteteve që po zhvillohen në kuadër te “Javës së Diasporës”, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare u çel ekspozita, “Identiteti Kombëtar dhe Diaspora”. Në fokus të kësaj ekspozite ishte veprimtaria e diasporës shqiptare në botë për ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e vlerave kombëtare, si dhe roli i saj në zhvillimin e vendit.