Zhvillohet ceremonia përmbyllëse e konkursit “Ngjyrat e Shqipërisë 2016”

Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me kompaninë Telekom Albania organizuan gjatë mbrëmjes së djeshme aktivitetin e ndarjes së çmimeve të konkursit fotografik #ColoursofAlbania - Ngjyrat e Shqipërisë 2016.

Kjo nismë u promovua për herë të parë në vitin 2015, dhe në vijim të traditës së krijuar, këtë vit bëri pjesë publikun e huaj dhe shqiptar në konkursin fotografik në mediat sociale, duke synuar që të gjithë të luajnë rolin e tyre si “Ambasadorë të vendit tonë”. Përgjatë 3 muajve të verës, nëpërmjet lentes së aparatit fotografik u sollën rreth 10.000 foto të cilat synojnë të promovojë bukuritë shqiptare nëpërmjet syve të qytetarëve, të rinjve apo të apasionuarve pas fotografisë. 

Në aktivitet mori pjesë Zv. Kryeministri Niko Peleshi, ministra të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. 

Konkursi #ColoursofAlbania është një platformë për mbështetjen e "diplomatëve dixhitalë" shqiptarë nëpër botë në promovimin e plotë të Shqipërisë së gjallë, historike e kulturore. 

Në përfundim, juria e përbërë nga fotografë profesionistë përzgjodhi 10 fotot më të mira, të cilat do të jenë pjesë e një libërthi që do të shpërndahet në të gjitha përfaqësitë shqiptare nëpër botë dhe do të përdoret si dhuratë simbol i Ministrisë së Punëve të Jashtme. 

Çmimi i parë për vitin 2016 u fitua nga Agron Nimani. Dy çmimet e dyta nga Erald Kraja dhe Ina Memishahi. Tre çmimet e treta nga Anila Ametaj, Fjolla Besimi dhe Paolo Gazzotti.

#ColoursofAlbania mbështetet nga ambasadorët e kulturës dhe imazhit shqiptar në botë: Skuadra Kombëtare e Futbollit, Saimir Pirgu, Ermonela Jaho, Olen Çezari, Kledi Kadiu dhe Federata e Rafting Albania. 

Në fjalën përshëndetëse, zv.Kryeministri Peleshi u ndal në rëndësinë që ka kjo nismë e Shqipërisë së gjeneratës tjetër në funksion të promovimit të vlerave dhe bukurive të vendit, si dhe mundësive që ofron teknologjia në rritjen e kapaciteteve të njeriut për të komunikuar me të tjerët. 

Ministri Bushati theksoi se nëpërmjet kësaj nisme synohet që të përmirësohet imazhi i Shqipërisë dhe të nxjerrim në pah vlerat tona, ku fotografitë e këtij viti prezantojnë anë të ndryshme të Shqipërisë nëpërmjet imazheve që reflektojnë energjinë dhe vitalitetin e njerëzve tanë, kulturën dhe trashëgiminë historike, si dhe natyrën tonë të mrekullueshme.  

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00