Në vazhdën e takimeve shpjeguese të legjislacionit komunitar sipas kapitujve të posaçëm, mes Komisionit Evropian dhe delegacioneve të Shqipërisë dhe Maqedonisë, në datat 18-22 shkurt 2019 në Bruksel u mbajt takimi shpjegues për kapitullin 12 ‘Siguria e ushqimit, politika veterinare dhe fitosanitare’.
Ky takim u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, DG NEAR dhe nga Drejtoria e Përgjithshme për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore, DG SANTE.
Pala shqiptare, u përfaqësua nga ekipi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me në krye zv.ministren, znj. Ermira Gjeçi. Pala maqedonase u kryesua nga kryenegociatori teknik, Bojan Marchinik dhe BE, u kryesua nga z. Marc Jorna, kryesues i task forcës për procesin e shqyrtimit analitik të akisë me Shqipërinë dhe Maqedoninë, të DG NEAR.
Përgjatë këtij takimi 5 ditor, përfaqësuesit e DG SANTE shpjeguan rregullat e hollësishme në fushën e sigurisë ushqimore. Politika e përgjithshme ushqimore përcakton rregullat e higjienës për prodhimin e produkteve ushqimore. Për më tepër, akia ofron rregulla të hollësishme në fushën e veterinarisë, të cilat janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit të kafshëve, mirëqenien e kafshëve dhe sigurinë e ushqimit me origjinë shtazore në tregun e brendshëm. Në fushën fitosanitare, rregullat e BE-së mbulojnë çështje të tilla si cilësia e farës, materiali për mbrojtjen e bimëve, organizmat e dëmshëm dhe ushqimin e kafshëve.