U zhvillua në Durrës takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me praninë e Komisionerit të BE-së për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn, Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Çeke Lubomir Zaoralek në kapacitetin e tij si kryesues i radhës i Grupit të Vishegradit (V4), Sekretarit francez të Shtetit Harlem Desir, Nën-sekretarit italian për Punët e Jashtme Vincenzo Amendola dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Goran Svilanovic.
Vendet e rajonit konfirmuan angazhimin për të krijuar sinergjinë e nevojshme për të përparuar në procesin e integrimit evropian, drejt një niveli më të lartë të bashkëpunimit në funksion të demokracisë, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.
Ministrat e Jashtëm të rajonit, Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE-së që morën pjesë në takim, shprehën angazhim të vendosur ndaj ‘Procesit të Berlinit’ dhe agjendës së ndërlidhjes rajonale, si një faktor kyç për rritjen ekonomike dhe impaktin në krijimin e vendeve të punës në Ballkanin Perëndimor.
Krahas bisedimeve për mekanizmat e përforcimit të bashkëpunimit rajonal, në kuadër të procesit të zgjerimit së BE-së në rajon, patën një rëndësi të veçantë dhe diskutimet mbi hapat që do të bëjnë të mundur që Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Paris, të japë miratimin për projekte të reja të ndërlidhjes rajonale.
Lidhur me krizën e refugjatëve, vendet e rajonit propozuan një agjendë gjithëpërfshirëse bashkëpunimi dhe një partneritet të zgjeruar BE-Ballkan Perëndimor mbi migracionin, e cila të përmbajë një dialog politik të përforcuar në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe procesin e anëtarësimit në BE.
Vendet e rajonit bënë thirrje njëzëri për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për të gjithë qytetarët e rajonit tonë.
Gjatë konferencës për shtyp me Komisionerin Hahn, Ministri Bushati u shpreh se takimi i sotëm i shërbeu koordinimit të masave, si në nivel kombëtar edhe në atë rajonal, në mënyrë që Samiti i Parisit të japë sa më shumë fryte në 5 drejtime kyçe:
- zbatimi i plotë i masave të dakordësuara në Samitin e Vjenës në mënyrë që të gjitha projektet infrastrukturore dhe energjetike të gjejnë financimin e duhur brenda vitit 2016,
- fokusi i ri mbi rininë duke përfshirë këtu programet studentore dhe trajnimin profesional,
- zgjidhja e problematikave dypalëshe në rajon,
- bashkëpunimi i vendeve të rajonit me BE-në për të përballuar krizën e refugjatëve por edhe për të luftuar me sukses terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm,
- nevoja për një pjesëmarrje aktive të shoqërisë civile si një element lehtësues në zbatimin cilësor të marrëveshjeve të arrira në nivel rajonal.
Duke iu referuar agjendës së ndërlidhjes rajonale, Ministri Bushati u shpreh se: “Shqipëria mori në Konferencën e Vjenës mbështetjen për projektin e interkonjeksionit elektrik me Maqedoninë dhe sot kërkuam mbështetje nga Konferenca e Parisit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë dhe për ndërtimin e një degëzimi drejt Aeroportit Nënë Tereza”.
Në takimin e sotëm u diskutua lidhur me masat për vënien në funksionim të Fondit të Ballkanit Perëndimor që do të krijohet në Tiranë, si një dimension i ri i bashkëpunimit rajonal, si dhe mbi Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, një nismë e kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë, e pranuar tashmë nga të gjithë, e cila do ta ketë selinë në Tiranë.
Komisioneri i BE-së për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn vlerësoi rolin stabilizues dhe dinamik të Shqipërisë në rajon dhe shprehu besimin se angazhimet në kuadër të Procesit të Berlinit do të mundësojnë një lidhje më të mirë për vendet e Ballkanit.
Komisioneri Hahn shprehu mbështetjen e Komisionit Evropian për financimin deri në 150 milionë euro në samitin e Parisit për projektet që do të vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, aprovimi i të cilave do të varet nga cilësia e projekteve.
“Gjatë një takimi të zhvilluar në Bruksel mes Ministrave të transportit dhe energjisë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionit, ne ramë dakord që të krijojmë një masterplan në fushën e energjisë hidrike. Gjithashtu, jemi të fokusuar edhe në fuqizimin e rrjeteve aktuale të energjisë në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Komisioneri Hahn.
***
Në linkun bit.ly/1TkUXa9 mund të ndiqet e plotë konferenca e përbashkët për shtyp e Ministrit Ditmir Bushati dhe Komisionerit Johannes Hahn, mbajtur në vijim të Takimit Ministerial të Western Balkans 6.