Në datën 19 janar 2017 u zhvillua në Ministrinë e Punëve të Jashtme takimi konsultativ mbi projektligjin “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Në këtë takim morën pjesë Kryetarë të Bashkive, Prefektët e Qarqeve dhe anëtarët e Grupit Ndërinstitucional të Punës për hartimin e projektligjit, si dhe përfaqësues së Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Delegacionit të BE-së, Prezencës së OSBE-së.
Në kuadër të realizimit të një procesi sa më gjithëpërfshirës konsultimi ndërinstitucional dhe publik, takimi i sotëm kishte si qëllim evidentimin e çështjeve që lidhen me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare në nivel vendor dhe trajtimin sa më të plotë të këtyre çështjeve në këtë projektligj.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Zv.Ministrja Barbullushi evidentoi se MPJ dhe institucionet shqiptare gjatë vitit 2016 kanë punuar për hartimin e projektligjit “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”, si shprehje e vullnetit të qeverisë shqiptare për përmbushjen e angazhimeve mbi pakicat.
Zv.Ministrja Barbullushi nënvizoi faktin se ky takim konsultues, në vazhdën e takimeve të mëparshme me grupet e interesit dhe shoqatat e pakicave, shërben për realizimin e një procesi gjithëpërfshirës dhe efektiv. Projektligji për minoritete bazohet në angazhimet ndërkombëtare, praktikat më të mira të vendeve evropiane dhe ekspertizën ndërkombëtare, në këtë fushë.
Kryetarët e Bashkive dhe Prefektët e Qarqeve vlerësuar angazhimin për hartimin e projektligjit dhe vine në dukje çështjet dhe problematikave e pakicave, që hasen dhe janë të prekshme në punën e përditshme të njësive të qeverisjes vendore, me qëllim adresimin e tyre në këtë projektligj.
Procesi i konsultimit publik bazuar në ligjin nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik” përfundon në datën 20 janar 2017.