Zhvillohet Takim Trepalësh i Ministrave të Jashtëm të Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Përurohet konsullata e nderit e Shqipërisë në Varazhdin

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, mori pjesë në Takimin Trepalësh të Ministrave të Jashtëm të Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, që u zhvillua sot në Split të Kroacisë.

Iniciativa ka për synim transformimin në një platformë bashkëpunimi dhe promovimi të stabilitetit rajonal dhe Takimi Trepalësh u fokusua në zgjerimin e dialogut politik mes vendeve, diskutimin mbi bashkëpunimin në fushën sigurisë e ekonomisë, infrastrukturës, transportit, mjedisit, turizimit dhe energjisë duke u ndalur kryesisht në bashkërendimin mes tre vendeve që realizimi i gazsjellsit adriatiko-jonian të përbëjë prioritet për vendet e BE-së.

Ky bashkëpunim gjithnjë në rritje vlerësohet i rëndësishëm dhe vlerë e shtuar për zhvillimin tërësor të vendeve tona dhe pjesëmarrjen e suksesshme në proceset e integrimit.

Në fokus të takimit ishte edhe dimensioni i sigurisë, lufta ndaj rrezikut terrorist, në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta dhe respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Në ndërhyrjen e tij, Ministri Bushati vlerësoi bashkëpunimin tashmë të konsoliduar në këtë format trepalësh dhe riafirmoi qëndrimin dhe rolin e Shqipërisë në funksion të forcimit të bashkëpunimit të vendeve tona, në fushat e mësipërme, të interesit të përbashkët. “Ajo që ne kemi të përbashkët është përcaktueshmëria euro-atlantike e vendeve tona dhe perspektiva e përbashkët europiane. Vendet tona kanë bërë një rrugë të gjatë për proceset euro-atlantike, ku kemi kontribuar dhe vijojmë të kontribuojmë për stabilitetin demokratik të rajonit tonë. Ne ndajmë pikëpamjen që bashkëpunimi në Europën Adriatike duhet të përforcohet nëpërmjet projekteve konkrete në fushën e infrastrukturës, transportit, energjisë, mjedisit dhe turizmit. Takimi tjetër i ketij formati trepalësh do të mbahet në një qytet tjetër të Europës Adriatike, në Durrës” - theksoi Ministri Bushati.

Takimi trepalësh mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi është një shembull i mirë se si vendet e njëmendta bashkojnë përpjekjet për t’i dhënë më shumë sinergji axhendës së përbashkët rajonale dhe konsoliduar qëndrimin ndaj sfidave të brendshme dhe atyre që importohen nga rajonet konfliktuale. Tre ministrat ranë dakord për konsultime të ngushta dhe qasje të përbashkët në përgatitje të samitit të ardhshëm të NATO-s, si dhe diskutuan mbi mundësinë e kryerjes së takimeve trepalëshe me administratën e re në SHBA, si një mundësi për një qasje të bashkërenduar në përballimin e sfidave me të cilat perballet rajoni ynë dhe konsolidimin e kursit euro-atlantik të vendeve tona.

Në një ceremoni të veçantë të organizuar në kuadër të vizitës së Ministrit Bushati në Kroaci u inaugurua hapja e Konsullatës së Nderit e Republikēs së Shqipërisë në Varazhdin. Në ceremoni merrnin pjesë përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Kroaci, autoritete lokale dhe komuniteti shqiptar që jeton në Kroaci.

Hapja e kësaj konsullate do t'i shërbejë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në shumë fusha dhe do të jetë një qendër e rëndësishme në funksion të forcimit të identitetit kombëtar për komunitetin shqiptar që jeton në Kroaci. 

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Ministri Bushati falënderoi autoritetet kroate për bashkëpunimin në këtë drejtim dhe u shpreh se çelja e kësaj konsullate do të shërbejë në forcimin e lidhjeve të vjetra mes dy vendeve tona dhe do të jetë një derë për komunitetin shqiptar që jeton dhe punon këtu. Ajo do tē sherbejë si një mundësi kontakti për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00