Zhvillohet takimi i Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor me Komisionerin Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn

Në kuadër të punimeve të Sesionit të 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri Bushati mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Komisionerin Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, të organizuar me iniciativë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurtz.

Fokusi i takimit ishte diskutimi mbi angazhimet e marra nga vendet e rajonit në fushën e infrastrukturës dhe energjisë, në vazhdën e Samitit të Parisit për Ballkanin Perëndimor.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Bushati u ndal mbi ecurinë e krijimit të zyrës së Fondit të Ballkanit Perëndimor me seli në Tiranë, si hap i qartë që dëshmon një rol në rritje të Shqipërisë në lidhje me politikën e jashtme në rajon dhe procesin e bashkëpunimit rajonal, në funksion të normalizimit të klimës së marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet vendeve tona.

Gjithashtu Ministri Bushati u ndal në krijimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, si shenjë e vullnetit politik dhe vizionit të ri, për një rajon të paqtë në frymën e mirëkuptimit, tolerancës dhe miqësisë, për të nxitur pajtimin dhe bashkëpunimin e për të inkurajuar distancimin e të rinjve nga fenomenet e ndasive, ksenofobisë dhe gjuhës së urrejtjes.

Duke u ndalur në sfidat e sigurisë me të cilat përballet sot rajoni e me gjerë, Ministri Bushati evidentoi rolin dhe kontributin gjithnjë në rritje të rajonit në arkitekturën e sigurisë në kontinent, si dhe faktin se adresimi i këtyre sfidave ka nxjerrë në pah ndërvarësinë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në përballimin me sukses të tyre.  

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00