Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është parlament me një dhome dhe 140 deputetë, të cilët zgjidhen një herë në katër vjet me zgjedhje të përgjithshme.
Kryetare e Kuvendit është Znj. Elisa Spiropali, e zgjedhur në 30 Korrik 2024
Parlamentarizmi në Shqipëri ka histori relativisht të shkurtër dhe të lidhur ngushtë me evolucionin e shtetit shqiptar. Që prej krijimit institucioni i parlamentit ka pësuar ndryshime të vazhdueshme për t’iu përgjigjur sistemeve të qeverisjes dhe dinamikës së kohës. Tashmë ai ka krijuar përvojën e tij në mënyrën e organizimit dhe të funksionimit dhe përbën institucionin më të rëndësishëm të zhvillimit të jetës politike në vend.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës (28 nëntor–7 dhjetor 1912)
Në Shqipëri parlamentarizmi i ka fillesat e tij në krijimin e organeve të para përfaqësuese të shtetit të pavarur shqiptar, bazat e të cilit u hodhën në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, që më 28 nëntor 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Kuvendi Kombëtar i Vlorës shprehu vullnetin e gjithë kombit dhe u bë organi më i lartë i shtetit shqiptar, mbajtësi dhe shprehësi i sovranitetit shtetëror. Vendimet e tij kishin vlerën e vendimeve kushtetuese, sepse sanksiononin vullnetin e popullit për shkëputjen nga sundimi i gjatë otoman dhe krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Më 4 dhjetor 1912 Kuvendi miratoi përbërjen e Qeverisë së Përkohshme dhe zgjodhi Pleqësinë si organ këshillimi dhe kontrolli të veprimtarisë së saj.
Shteti shqiptar nën Princ Vidin dhe Statuti Organik i Shqipërisë
Pas rënies së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës pushteti kaloi në duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, i cili më 10 prill 1914 hartoi Statutin Organik të Shqipërisë, ku ndër të tjera përcaktohej krijimi i Asamblesë Kombëtare si organi kryesor ligjvënës, e cila përbëhej nga 36 anëtarë të ndarë në: ex-officio (këtu bënin pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare), anëtarë të zgjedhur dhe anëtarë të caktuar nga Princi (10 anëtarë), i cili e ushtronte pushtetin legjislativ krahas Asamblesë, e cila nuk ishte as organ i lartë dhe as organ me të vërtetë përfaqësues, por thjesht një organ legjislativ me kompetenca të kufizuara. Princi mund ta shpërndante Asamblenë para mbarimit të afatit katërvjeçar të legjislaturës.
Statuti Organik, që përbëhej nga 17 kapituj dhe 216 nene, ishte kushtetuta e parë e shtetit shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë. Ai përcaktoi se Asambleja do të ishte parlament, duke saktësuar gjithashtu edhe mënyrën e zgjedhjes dhe të caktimit të anëtarëve. Në të trajtoheshin disa nga problemet kryesore të kohës, si: forma e qeverisjes, pozita ndërkombëtare e Shqipërisë dhe territori i saj, pushteti legjislativ dhe ekzekutiv, popullsia, të drejtat dhe detyrat e saj, administrata lokale, forcat e armatosura dhe organet e drejtësisë. Nëse do të realizohej në praktikë, ky do të ishte parlamenti i parë shqiptar, por kjo nuk u arrit, pasi me fillimin e Luftës së Parë Botërore Princ Vidi u largua nga Shqipëria, e cila u pushtua dhe Statuti mbeti në letër.
Këshilli Kombëtar i Lushnjës (27 mars 1920–20 dhjetor 1920)
Kongresi i Lushnjës (21 janar–31 janar 1920) ishte një kongres kombëtar me rëndësi të veçantë, që hodhi poshtë planet e fuqive evropiane për copëtimin e mëtejshëm Shqipërisë dhe mori vendime për rimëkëmbjen e shtetit shqiptar, për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të tij. Ai shprehu vullnetin e popullit shqiptar për të marrë në duart e veta fatin e vendit. Përveç rimëkëmbjes së shtetit shqiptar në kohët më të vështira pas Luftës së Parë Botërore Kongresi i Lushnjës ka meritën e krijimit të një organi legjislativ: Senatit, që përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga vetë delegatët e Kongresit. Pas fillimit të punimeve të tij Senati u quajt “Këshilli Kombëtar”, që njihet si parlamenti i parë shqiptar.
Këshilli Kombëtar i zhvilloi punimet në dy sesione: i pari, 27 mars–27 maj 1920; i dyti, 23 shtator–15 nëntor 1920. Megjithëse parlamenti i parë shqiptar e zhvilloi veprimtarinë e tij legjislative në një periudhë të shkurtër, ai arriti të miratonte disa ligje me rëndësi për jetën e vendit. Një nga aktet më të rëndësishme kushtetuese në historinë e shtetit shqiptar është “Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë”, që ndryshe njihet si “Statuti i Lushnjës”.
Më 27 prill 1920 u hartua edhe rregullorja e parë e Këshillit Kombëtar, që përbëhej nga 13 kapituj dhe 72 nene. Përveç zgjedhjes së organeve drejtuese me rëndësi ishte edhe zgjedhja e organeve të punës, ku bënin pjesë komisionet. Në këtë periudhë u afirmuan për herë të parë parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i qeverisë nga Senati si dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj saj. Mbledhja e fundit, që u zhvillua më 15 nëntor 1920, shënoi përfundimin e veprimtarisë legjislative të Këshillit Kombëtar të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Në dhjetor të vitit 1920 ai u shpërnda, për t’ia lënë vendin Këshillit të ri Kombëtar të dalë nga zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri.
Këshilli Kombëtar (Parlamenti) (21 prill 1921–30 shtator 1923)
Në zgjedhjet e para parlamentare, që përfunduan më 5 prill 1921, u zgjodhën 78 deputetë, të cilët përfaqësonin dy grupimet politike: Partinë Popullore, që kryesohej nga Fan Noli, dhe Partinë Përparimtare, që kryesohej nga Hoxhë Kadriu, duke shënuar kështu fillimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Si një organ i zgjedhur nga vota popullore, Këshilli Kombëtar miratoi ligje financiare, administrative, penale etj., por me rëndësi të veçantë ishte ligji për organizimin e gjyqësorit, që sanksiononte pavarësinë e gjykatave. Arritja më e madhe ishte miratimi i “Zgjanimit të Statutit të Lushnjës”, që njihet si “Statuti i Zgjeruar i Lushnjës”. Ky akt i rëndësishëm, që ishte thuajse një kushtetutë e plotë, moderne, demokratike dhe e përparuar për kohën, sanksionoi plotfuqinë parlamentare.
Këshilli Kombëtar tashmë mori emrin “Parlament”. Ai përbëhej nga një dhomë e vetme dhe mblidhej dy herë në vit në sesione të rregullta tremujore. Deputetët zgjidheshin nga populli në bazë të zgjedhjeve të përgjithshme me votim të tërthortë. Statuti i Zgjeruar i Lushnjës sanksiononte betimin e deputetëve përpara Këshillit, përcaktonte statusin e deputetit dhe imunitetin e tij.
Gjithashtu sanksiononte ndarjen e pushteteve: pushtetin legjislativ e ushtronte Parlamenti, ndërsa pushtetin ekzekutiv e kishte Këshilli i Naltë, funksion që e kryente me anë të qeverisë. Statuti i Lushnjës (1920) dhe Statuti i Zgjeruar i Lushnjës (1922) hodhën themelet e së drejtës kushtetuese në Shqipëri. Në shtator të vitit 1923 Këshilli Kombëtar i mbylli punimet, për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të reja për Kuvendin Kushtetues, të cilat u mbajtën në dhjetor të po atij viti.
Kuvendi Kushtetues (21 janar 1924–2 mars 1925)
Kuvendi Kushtetues i dalë nga zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923 e zhvilloi veprimtarinë e tij në dy periudha: 21 janar–2 qershor 1924 dhe 17 janar–2 mars 1925. Ai përbëhej nga 103 deputetë, nga të cilët 44 ishin përkrahës të qeverisë, 39 përkrahës të grupeve të opozitës dhe 19 ishin deklaruar të pavarur. Detyra kryesore e tij ishte hartimi dhe miratimi i një kushtetute të shtetit shqiptar, ku të sanksionohej forma e qeverisjes. Për këtë Kuvendi Kombëtar ngriti një komision të posaçëm, por ky objektiv nuk u arrit për shkak të acarimit të situatës politike në vend pas vrasjes së Avni Rustemit dhe atentatit që iu bë kryeministrit të asaj kohe, Ahmet Zogut, më 23 shkurt 1924 në hyrje të Kuvendit.
Më 2 qershor të vitit 1924 Kuvendi i mbylli punimet. Pas shpërbërjes së qeverisë Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria dhe qëndroi në ilegalitet deri në dhjetor të atij viti. Qeveria e Fan Nolit, që erdhi në pushtet pas largimit të tij, pati një jetë të shkurtër (16 qershor–24 dhjetor 1924) dhe nuk arriti ta mblidhte Kuvendin Kushtetues. Për afro gjashtë muaj shteti shqiptar funksionoi pa parlament. Pas kthimit të Ahmet Zogut në pushtet, që shënoi në histori të ashtuquajturin “triumf të legalitetit”, rifilloi punimet Kuvendi Kushtetues (17 janar 1925).
Ndonëse jo i plotë, në janar 1925 Kuvendi shpalli krijimin e Republikës Shqiptare, ndërsa në mars të po atij viti miratoi Statutin Themeltar të Republikës Shqiptare dhe përcaktoi formën e regjimit. Më 23 shkurt 1925 Kuvendi Kushtetues shqyrtoi dhe miratoi ligjin e ri të zgjedhjeve, i cili u dekretua më 14 mars 1925. Zgjedhjet u zhvilluan në prill–maj 1925 me votim të tërthortë me dy raunde dhe parlamenti i ri i filloi punimet në qershor të po atij viti.
Parlamenti i Republikës Shqiptare (1 qershor 1925–7 qershor 1928)
Statuti Themeltar e përcaktonte Shqipërinë republikë parlamentare “e kryesueme prej një kryetari”, sovraniteti i së cilës buronte nga populli. Me një vendim të posaçëm të Kuvendit Kushtetues Ahmet Zogu u zgjodh në krye të shtetit. Gjatë periudhës republikane veprimtaria parlamentare zhvillohej në dy dhoma: Dhoma e Deputetëve (dhoma e ulët) dhe Senati (dhoma e lartë). Sistemi dydhomësh i kësaj periudhe pati jetë të shkurtër dhe përbën rastin e vetëm në historinë parlamentare të Shqipërisë.
Dhoma e Deputetëve përbëhej nga 57 deputetë, ndërsa Senati nga 18 senatorë, dy të tretat e cilëve u zgjodhën nga Kuvendi Kushtetues dhe një e treta u emëruan nga Presidenti i Republikës (Ahmet Zogu). Dy dhomat mblidheshin për të marrë vendime në një seancë të përbashkët në Asamblenë Legjislative, që në Statut paraqitej si organ më vete. Parlamenti shqiptar i viteve 1925–1928 u karakterizua nga mungesa e pluralizmit dhe për shkak të problemeve të mëdha të sistemit zgjedhor ruajti një karakter përfaqësues fiktiv.
Mungesa e partive politike dhe opozitës parlamentare e karakterizoi gjithë periudhën e sundimit të Ahmet Zogut si Kryetar i Republikës e më pas si “Mbret i Shqiptarëve”. Megjithatë, ai zhvilloi një veprimtari të gjerë dhe miratoi një sërë ligjesh me rëndësi, që ndikuan në politikën e jashtme dhe zhvillimin e brendshëm të shtetit shqiptar. Parlamenti i këtyre viteve diskutoi dhe mori vendime për një sërë çështjesh të rëndësishme, si: krijimi i Bankës Kombëtare, huaja e SVEA-s, koncesionet e mëdha ekonomike me Anglinë, Italinë, SHBA-të, Francën dhe shtete të tjera, paktet politiko-ushtarake italo-shqiptare të viteve 1926–1927 etj. Ai miratoi gjithashtu shumë reforma për zhvillimin ekonomik të vendit dhe reformimin e institucioneve.
Atij i takon merita e madhe e miratimit të dy ligjeve moderne: Kodit Penal dhe Kodit Civil, që patën ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe modernizimin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Pas konfliktit ndërmjet Dhomës së Deputetëve dhe Senatit për kompetencat që duhej të kishte Këshilli i Shtetit dhe për rishikimin e Statutit Themeltar të Republikës, të cilin nuk e zgjidhi as Asambleja Legjislative që u mblodh për këtë rast, A. Zogu më 16 qershor 1928 firmosi dekretin mbi zgjedhjet për Asamblenë Konstituente. Votimet u zhvilluan mbi bazën e ligjit zgjedhor të marsit të vitit 1925 dhe përfunduan më 17 gusht 1928.
Asambleja Konstituente (Parlamenti) (dhjetor 1928–prill 1939)
Asambleja Konstituente u mblodh më 25 gusht 1928 dhe përbëhej nga 58 deputetë. Më 1 shtator 1928 Asambleja Konstituente shpalli krijimin e Monarkisë Shqiptare dhe Ahmet Zogun e shpalli “Mbret i Shqiptarëve” nën titullin “Zogu i Parë”. Hapi i radhës i Asamblesë ishte ngritja e një komisioni të posaçëm për hartimin e Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, i cili u miratua më 1 dhjetor 1928. Statuti sanksionoi formën monarkike të qeverisjes dhe sistemin parlamentar njëdhomësh.
Në zbatim të nenit 230 të Statutit të ri, Asambleja u dha fund punimeve, për të vijuar më pas si Parlament. Parlamenti njëdhomësh i periudhës dhjetor 1928–prill 1939 e zhvilloi veprimtarinë e tij në tri legjislatura: Legjislatura I: 10 dhjetor 1928–11 maj 1932; Legjislatura II: 21 nëntor 1932–16 nëntor 1936; Legjislatura III: 10 shkurt 1937–12 prill 1939.
Parlamenti miratonte qeverinë dhe programin e saj dhe ushtronte kontroll mbi të, por nuk mund të refuzonte asnjë nismë të mbretit, i cili kishte pushtet të padiskutueshëm mbi Parlamentin dhe mund ta shpërndante atë. Parlamenti i periudhës së monarkisë miratoi një sërë ligjesh për zhvillimin e ekonomisë, të bujqësisë dhe blegtorisë, industrisë dhe tregtisë, të arsimit dhe kulturës. Në fund të vitit 1931 deputetët miratuan Kodin Tregtar, duke i dhënë kështu vendit një tjetër ligj modern. Pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste më 7 prill 1939 Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria.
Parlamenti në periudhën 1939–1944
Parlamentarizmi u zhduk plotësisht pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. E vetëquajtura Asamble Kushtetuese që u mblodh më 12 prill 1939 nga pushtuesit fashistë italianë, përbëhej nga 159 anëtarë, pjesa më e madhe e të cilëve vinin nga radhët e bejlerëve, tregtarëve të mëdhenj, klerikëve dhe intelektualëve profashistë dhe i kishin shërbyer me besnikëri regjimit monarkist të viteve 1928–1939.
Punimet i hapi Xhafer Ypi, ish-ministër i Zogut, në cilësinë e ish-regjentit dhe të kryetarit të Komitetit të Administrimit të Përkohshëm. Asambleja, e cila e ushtroi veprimtarinë e saj deri më 1 prill 1940, shpalli rrëzimin e Monarkisë së Ahmet Zogut dhe shfuqizimin e kushtetutës së saj, krijoi një ‘qeveri me fuqi të plota’ dhe i ofroi kurorën mbretit të Italisë, Viktor Emanueli III.
Varësia e plotë e organeve shqiptare nga Italia sanksionohej edhe në Statutin e Mbretërisë Shqiptare të akorduar nga Viktor Emanueli III në cilësinë e mbretit, sipas të cilit pushteti legjislativ ushtrohej nga mbreti në bashkëpunim me Këshillin e Epërm Fashist Korporativ, i cili u krijua me dekretin nr. 101, datë 3 prill 1940 të Mëkëmbësisë së Përgjithshme.
Pas kapitullimit të Italisë fashiste pushtuesit nazistë gjermanë krijuan Komitetin Ekzekutiv të Përkohshëm, që do të drejtonte punët në Shqipëri deri në zgjedhjen e të ashtuquajturit ‘Kuvendi Kombëtar’, të cilit do t’i atribuoheshin funksionet e Asamblesë Kushtetuese. Kuvendi Kombëtar, i cili u mblodh më 6 tetor 1943 me urdhër të pushtuesve nazistë, zgjodhi Këshillin e Lartë të Regjencës me funksionet e Kryetarit të Shtetit dhe të qeverisë, i cili përbëhej nga 4 veta; shpalli shfuqizimin e vendimeve dhe të marrëveshjeve që sanksiononin bashkimin e Shqipërisë me Italinë, por la në fuqi dispozitat juridike të miratuara gjatë periudhës së pushtimit fashist italian (7 prill 1939–14 shtator 1943); ktheu në fuqi dispozitat e Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare të dhjetorit 1928 që nuk binin në kundërshtim me vendimet e Kuvendit Kombëtar dhe mori përsipër t’u jepte karakter kushtetues vendimeve të Komitetit Ekzekutiv të Përkohshëm.
Kuvendi Kombëtar u shpërnda më 18 tetor 1943, kur pallati ku ai ishte mbledhur (sot Pallati i Brigadave) u qëllua me top nga artileria e UNÇSH-së. Më 24 maj 1944 u mblodh Kongresi i Përmetit, i cili zgjodhi Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar të përbërë nga 122 anëtarë, që mund të themi se kishte karakterin e një parlamenti. KANÇ-i zgjodhi kryesinë, që përbëhej nga kryetari, tre nënkryetarë, dy sekretarë dhe 24 anëtarë. Ai vendosi të formonte Komitetin Antifashist Nacionalçlirimtar me atributet e një qeverie të përkohshme dhe miratoi ligjin ‘Mbi Asamblenë Kushtetuese’ dhe ligjin ‘Mbi listat elektorale’.
Parlamenti pas Luftës Nacionalçlirimtare (mars 1946–nëntor 1990)
Organi më i lartë përfaqësues i popullit shqiptar pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë ishte Asambleja Kushtetonjëse (Kushtetuese), e cila u zgjodh me votim të përgjithshëm të drejtpërdrejtë dhe i hapi punimet më 11 janar 1946 në sallën që vite më pas do të ishte Akademia e Arteve të Bukura. Zgjedhjet u zhvilluan më 2 dhjetor 1945. Ishin të parat zgjedhje në historinë e Shqipërisë në të cilat merrnin pjesë në votim edhe gratë. Në mbledhjen e saj të parë, pra më 11 janar 1946, me propozim të një grupi deputetësh, Asambleja e shpalli Shqipërinë republikë popullore.
Pas shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë nisi puna për hartimin e kushtetutës së saj. Diskutimi zgjati dy muaj. Më 14 mars 1946 Asambleja miratoi Statutin e Republikës Popullore të Shqipërisë, që sanksiononte se organi më i lartë i pushtetit shtetëror në Shqipëri ishte Kuvendi Popullor. Më 16 mars 1946 Asambleja Kushtetuese vendosi të kthehej në Kuvend Popullor. Kjo datë shënon fillimin e legjislaturës së parë të Kuvendit Popullor, i cili vazhdoi të kryente detyrat ligjvënëse për 11 legjislatura rresht, deri në vitin 1991, kur ndryshoi sistemi politik në Shqipëri.
Edhe me kushtetutën e 28 dhjetorit 1976, e cila kishte tiparet e një programi politik plotësisht të indoktrinuar me ideologjinë e kohës, institucioni ligjvënës në Shqipëri e ruajti emërtimin “Kuvendi Popullor”, por në kushtet e mungesës së pluralizmit politik në vend ai ishte një organ formal dhe mblidhej në sesione vetëm dy herë në vit. Roli i tij ishte fiktiv për sa kohë nuk sanksionoheshin zgjedhje të lira dhe as mund të flitej për pluralizëm politik.
Rilindja e parlamentarizmit
Në vitin 1991, pas një periudhe shumë të gjatë, në Shqipëri u rivendos sistemi parlamentar demokratik. Lëvizja demokratike e nisur nga studentët dhe rrjedha që ajo mori në dhjetor të vitit 1990 çelën një faqe të re në historinë e Shqipërisë. Pluralizmi politik, që u dekretua më 17 dhjetor 1990 nën presionin e kësaj lëvizjeje, pati një mbështetje të gjerë popullore dhe çoi në krijimin e partive të reja politike.
Zgjedhjet e para pluraliste u zhvilluan më 31 mars 1991. Kuvendi Popullor që doli nga këto zgjedhje, i cili i hapi punimet më 15 prill 1991, përbëhej nga një dhomë me 250 deputetë të disa subjekteve politike. Me ligjet demokratike që miratoi ky Kuvend bëri të mundur që Shqipëria të pranohej në Këshillin e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Europian (KSBE), të firmosej akti final i Helsinkit dhe Karta e Parisit, që i hapën Shqipërisë dyert e Europës.
Detyra kryesore që shtrohej para tij ishte kapërcimi i së kaluarës komuniste, çka kërkonte përmbysjen e gjithë legjislacionit të votuar formalisht nga Kuvendi Popullor i periudhës 1946–1990 dhe t’u hapej rrugë reformave të ekonomisë së tregut. Hapi i parë që ai ndërmori ishte shfuqizimi i Kushtetutës së Republikës Popullore Socialistë të Shqipërisë të vitit 1976 dhe miratimi i ligjit ‘Për dispozitat kryesore kushtetuese’, që shërbeu si kushtetutë e përkohshme deri në miratimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Më 30 janar 1992 Kuvendi i parë pluralist u dha fund punimeve, pa mundur t’i realizonte të gjitha detyrat e rëndësishme që ai mori përsipër. Përvoja e tij do t’i shërbente Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1992 dhe të tjerëve pas tij, që kanë bërë hapa vendimtarë në veprimtarinë ligjvënëse. Ligjet e miratuara nga Kuvendi i parë demokratik u pasuan nga miratimi i Kodit Penal, Kodit të Procedurave Penale, Kodit të Procedurave Civile, Kodit të Familjes, Kodit Rrugor dhe mjaft ligjeve të tjera të rëndësishme në të gjitha fushat e jetës.
Akti më i rëndësishëm i veprimtarisë parlamentare të këtyre viteve pluralizëm është miratimi i Kushtetutës së parë demokratike më 21 tetor 1998. Më 22 nëntor Kushtetuta iu nënshtrua referendumit popullor dhe hyri në fuqi më 28 nëntor 1998, pas shpalljes nga Presidenti i Republikës. Në Kushtetutën e re, e cila krijoi mundësinë për të kuptuar më mirë sistemin politik në Shqipëri dhe rolin e aktorëve të tij, emërtimi “Kuvendi Popullor” u zëvendësua me emërtimin “Kuvendi”, një parlament njëdhomësh me 140 deputetë.
Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës roli i Kuvendit është rritur ndjeshëm. Ai është bërë institucioni më i rëndësishëm i zhvillimit të jetës politike në vend. Veprimtaria legjislative e tij është bërë një nga instrumentet më aktive në konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe të integrimit euroatlantik të Shqipërisë.