Në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe 2024, Javës së Kulturës Shqiptare në Berlin dhe me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani organizuan aktivitetin me titull “Rreze drite nga gjuha shqipe”, ku ishin të ftuar akademikë, studiues gjermanë e shqiptarë, albanologë, mësues të gjuhës shqipe, përkthyes, gazetarë dhe miq të Shqipërisë.
Studiuesit e gjuhës shqipe treguan për përvojën e tyre profesionale dhe ndanë ekspertizën e tyre shkencore në fushën e gjuhësisë.
Të gjithë së bashku shijuan veçanërisht kujtimet e studiuesve mbi gjuhën tonë të ëmbël.
Aktiviteti u përshëndet nga Ambasadorja e Shqipërisë, znj. Adia Sakiqi, Ambasadori i Kosovës, z. Faruk Ajeti dhe Ambasadori i Maqedonisë së Veriut z. Ylber Sela.
Gjuha është shumë më tepër sesa thjesht një mënyrë komunikimi, është një pjesë e qenësishme e historisë, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.
Gjatë këtij aktiviteti u shprëndanë për shkollat shqipe tekstet mësimore të nivelit II “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, dhuratë e qeverisë shqiptare.