Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80-Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë” dhe Javës së Kulturës Shqiptare në Berlin, Ambasada shqiptare në Gjermani organizoi shfaqjen e filmit “Lulëkuqet mbi mure” nga regjisori i shquar Dhimitër Anagnosti dhe me aktorët e talentuar Kadri Roshi, Timo Flloko, Krenar Arifi, Agim Qirjaqi, Anastas Kristofori, Alfred Kote, Strazimir Zaimi, Enea Zheku, Enver Dauti, Pavlina Mani, Liza Laska, Gjergj Pilika, Artur Haxholli, Roland Ohri, Robert Xhuli, Vasillaq Vangjeli.
Të pranishëm ishin përfaqësues të MPJ gjermane, trupi diplomatik, zyrtarë gjermanë, nxënës të shkollave në Berlin, mësues, aktorë, shkrimtarë, gazetarë, përfaqësues të diasporës shqiptare, miq të huaj dhe dashamirës të kinematografisë.
Aktiviteti u përshëndet nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Gjermani, znj. Adia Sakiqi.
Moment i veçantë ishte pjesëmarrja e të ftuarit të nderit, aktorit të filmit z. Krenar Arifi, i mirënjohur për rolin e tij si “Sulo”, i cili prej rreth 30 vitesh jeton në Gjermani. Kënaqësi që pas kaq vitesh, publiku vendas pati rastin të bashkëbisedojë me aktorin Arifi për të ndarë emocionet dhe përvojat e tij në film.
Shfaqja e këtij filmi pati një interes të lartë nga publiku vendas. Filmi prezantoi pjesë të çmueshme të kinematografisë, artit, historisë dhe kulturës shqiptare.
“Lulëkuqet mbi mure” është një nga filmat më ikonë të kinematografisë shqiptare, që Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF), në suazën e proçesit të restaurimit dhe dixhitalizimit të filmave të vjetër shqiptarë, e ka restauruar mjeshtërisht duke e bërë të arritshëm këtë film kudo dhe për të gjithë.
Falenderime Arkivi Qendror Shteteror i Filmit për bashkëpunimin e vyer.
Falenderime të veçanta për aktorin, z. Krenar Arifi, i cili na nderoi me pjesëmarrjen e tij.
Pas shfaqjes së filmit, në ambjentet e kinemasë CineStar Berlin Cubix u prezantua edhe ekspozita “Rruga e Lirisë: Çlirimi i Shqipërisë në fotografi historike”.