Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh:
“Ne ndërtuam një proces, ndërtuam një strategji dhe sot jemi në kushtet kur funksionojmë me një strategji kombëtare të diasporës. Jemi në kushtet kur kemi koordinatorë shtetërorë të diasporës, që ndjekin sektorë dhe fusha të ndryshme. Jemi në kushtet kur kemi një organizim që merr pamjen e vet më kuptimplotë në këtë tryezë, ku diaspora përfaqësohet përmes një këshilli kombëtar”
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani bëri me dije lajmin e mirë për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht për ata që punojnë në organizatat ndërkombëtare, do të vijë së shpejti me ndryshimet e propozuara në ligjin për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë.
“Ky ligj i ri do t’i japë mundësinë atyre të aplikojnë të bëhen pjesë e shërbimit të jashtëm , duke kontribuar me përvojën e tyre profesionale dhe njohuritë ndërkombëtare në përfaqësimin e interesave të Shqipërisë. Ky hap është një mundësi e mirë për të angazhuar ekspertizën shqiptare në nivele të larta, duke përfshirë diasporën në zhvillimin dhe avancimin e politikave të jashtme të vendit”, tha ministri Hasani në fjalën e tij.
Duke u ndalur në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, ministri Hasani tha se progresi i vendit në këtë drejtim do të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse ndërtojmë një strukturë të fortë dhe efikase edhe për diasporën, e cila duhet të jetë një forcë aktive dhe e përfshirë në zhvillimin e politikave të vendit.
Në takim krahas anëtarëve të KKD, morën pjesë edhe disa ministra të kabinetit qeveritar, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, përfaqësues nga qeveria e Kosovës etj, të cilat referuan arritjet e strukturave respektive në drejtim të mbështetjes për diasporën shqiptare.