Me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të Aushvicit dhe #DitëssëKujtimittëHolokaustit, Shkolla ‘Refik Veseli’ në Berlin dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani, bashkë-organizuan një panel diskutimi me temë mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe Kodi shqiptar i Nderit Besa.
I ftuar nderi në këtë aktivitet ishte Fatmir Veseli, i biri i Refik Veselit, një fotograf nga Shqipëria, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore strehoi dhe ndihmoi familje hebreje në shtëpinë e tij.
Shkolla ‘Refik Veseli’ është e vetmja shkollë në botë që mban emrin e një shqiptari ‘I Nderuar Midis Kombeve‘. Është një nder i madh për kombin shqiptar që gjesti humanist i shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore të lartësohet me emrin e një shqiptari të thjeshtë që bëri një gjest kaq të jashtëzakonshëm.
Në ditën e kujtimit të Holokaustit në Berlin, ku tregohen historitë e dhimbshme për krimet dhe gjërat makabre, ne flasim për histori inspiruese të humanizmit dhe mikëpritjes shqiptare, falë të ndjerit Refik Veseli dhe shumë shqiptarëve të tjerë si ai, të cilët kontribuan në vazhdimin e jetës së familjeve të përndjekura nga nazizmi.