Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani ka mirëpritur sot në Tiranë, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, z. Alain Berset.
Kjo vizitë është veçanërisht simbolike dhe e rëndësishme pasi viti 2025 përkon edhe me 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.
Përmes një publikimi në rrjetin e tij social, Ministri Hasani nënvizon:
“Gjatë takimit u vlerësua progresi i Shqipërisë në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, si dhe roli aktiv në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetja e saj për Ukrainën”.
Ndër të tjera, z. Hasani cilëson se i ka kërkuar z. Berset që Kosova të anëtarësohet sa më parë në Këshillin e Evropës:
“Gjithashtu gjeta rastin t’i nënvizoj z. Berset se anëtarësimi më se i merituar i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Shqipëria qëndron e palëkundur në mbështetjen ndaj saj, duke e parë si një pikë kyçe për stabilitetin rajonal dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.