Më 24-25 qershor 2025, u mbajtën në Berlin ditët shqiptare në shkollën gjermane ‘Refik Veseli’, me rastin e festimit jubilar në përkujtim të përvjetorit të emërtimit të shkollës, e cila prej një dekade mban emrin e shqiptarit Refik Veseli.
Refik Veseli ishte një fotograf nga Shqipëria, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore strehoi dhe ndihmoi familje hebreje në shtëpinë e tij.
Nën temën ‘Shqiptarët shpëtojnë herbrenjtë’ u zhvilluan aktivitete të shumta si workshope, panele diskutimi, shfaqje filmi, program artistik me këngë dhe valle, ku në fokus ishte kultura, tradita, historia, gjuha dhe kulinaria shqiptare.
Shkolla gjermane ‘Refik Veseli’ është e vetmja shkollë në botë që mban emrin e një shqiptari ‘I Nderuar Midis Kombeve‘. Konsiderohet një nder i madh për kombin shqiptar që gjesti humanist i shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore të lartësohet me emrin e një shqiptari të thjeshtë që bëri një gjest kaq të jashtëzakonshëm.









