Sot Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Gjermani, znj. Adia Sakiqi, u takua me z. Ledio Halën, lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e Regensburgut dhe njëkohësisht president i shoqatës ‘Martin Camaj’ në Lenggries. Në takim u diskutua për Albanologjinë në Regensburg në kuadër të Samitit të Diasporës si dhe u koordinuan projekte konkrete gjatë vitit 2026 me shoqatën ‘Martin Camaj’ në Lenggries.
Universiteti i Regensburgut ka themeluar një lektorat të gjuhës shqipe që prej vitit 2023 në kuadër të projektit SeeFfield, i financuar nga Fondacioni Volkswagen, me qëllim zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të studimeve shqiptare.
Ndër të tjera u diskutua projekti më i ri mësimor me titull “Shumëgjuhësia e jetuar: Shqipja në Regensburg”, në të cilin studentët me origjinë shqiptare do të realizojnë intervista biografike gjuhësore me shqiptarë të ndryshëm në Regensburg, në biznese dhe sektorë të ndryshëm të punës, për të vlerësuar ruajtjen e gjuhës shqipe dhe për të dokumentuar historitë e migracionit.



