Më 25 shtator, Kori Ndërkombëtar i Dhomës së Tiranës “BujArt” përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin e Koreve të Berlinit, duke sjellë në skenën e ATZE Musiktheater Berlin një copëz të shpirtit, kulturës dhe trashëgimisë muzikore shqiptare.
Me moton “Tani këndojmë, më vonë flemë!”, Shoqata e Koreve të Berlinit festoi 125-vjetorin e themelimit përmes një sfide të jashtëzakonshme: 125 orë këngë pa pushim, nga 21 deri më 26 shtator 2026.
Në këtë maratonë të veçantë korale morën pjesë 223 kore nga vende të ndryshme të botës – dhe mes tyre BujArt nga Tirana.
Përmes një programi tërësisht shqiptar, me vepra të kompozitorëve tanë të njohur, BujArt dhuroi një performancë të jashtëzakonshme, që përcolli me forcë, elegancë dhe emocion bukurinë e muzikës korale shqiptare.
Një interpretim që magjepsi publikun gjerman dhe ndërkombëtar, duke sjellë duartrokitje, emocion dhe një atmosferë të ngrohtë në zemër të Berlinit.
Një urim dhe mirënjohje e veçantë për të gjithë koristët e BujArt, për përkushtimin, profesionalizmin dhe emocionin që përcollën.
Mirënjohje dirigjentit dhe drejtuesit artistik Prof. Asoc. Bujar Alliu për këtë përfaqësim kaq të bukur dhe dinjitoz të Shqipërisë në Berlin.




