Bruksel, 18 dhjetor 2024 – U nënshkrua sot në Bruksel, Dokumenti i Partneritetit për sigurinë dhe mbrojtjen me Bashkimin Evropian, mes Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu, në praninë e Kryeministrit Edi Rama.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Partneritetit BE-Shqipëri për Sigurinë dhe Mbrojtjen është një pasqyrim i qartë i thellimit të bashkëpunimit tonë përballë sfidave gjeopolitike në rritje dhe harmonizimit tonë të vazhdueshëm me politikat e BE-së për çështjet e jashtme dhe mbrojtjen.
Kryeministri Rama në deklaratën e përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, vlerësoi Bashkimin Evropian, për të gjithë ata, që në emër të Bashkimit Evropian po punojnë për të shtyrë përpara këtë agjendë të ribashkimit të plotë të Evropës.
“Ndihemi të privilegjuar sepse kemi kaluar një rrugë të gjatë dhe dini çfarë do të thotë të lindësh dhe të rritesh në një diktaturë, pastaj të luftosh për lirinë dhe më pas të luftosh për të ndërtuar demokracinë dhe zhvilluar shoqërinë”, deklaroi kryeministri.
Për Përfaqësuesen e lartë të BE-së, marrëveshja e sotme konfirmon zgjerimin e bashkëpunimit si në Evropë, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, ndërsa vlerësoi përparimin e konsiderueshëm të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit.
Nënshkrimi i dokumentit vjen në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor që ka nisur në Bruksel, dhe një ditë pas Konferencës së tretë ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku u hap grup-kapitullin 6 të negociatave: Politika e Jashtme.