Në kuadër të festimeve të “Nëntorit Shqiptar”, muajit të krenarisë dhe pavarësisë sonë kombëtare, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në kuadër të projektit “Cultur Alb – Ditë Shqiptare në Botë”, organizoi ekspozitën përkujtimore “Një udhëtim në kujtesën shqiptare”, një ngjarje e veçantë kulturore që hedh dritë mbi rrënjët, kujtesën dhe trashëgiminë tonë të përbashkët.
Ekspozita i kushtohet koleksionistit të mirënjohur dhe mjekut Panajotis Koliomihalis, i cili që prej vitit 1968 ka mbledhur me pasion dhe përkushtim një koleksion të rrallë dokumentesh, hartash dhe kartolinash që rrëfejnë historinë e shqiptarëve që nga shekulli XVI.
Kjo ekspozitë nuk përfaqëson vetëm një udhëtim në kohë, por është një dëshmi e dashurisë për atdheun dhe e përpjekjeve të vazhdueshme për të ruajtur dhe promovuar identitetin kulturor shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ajo mishëron frymën e kujtesës kombëtare dhe lidh urat e miqësisë përmes kulturës dhe vlerave shpirtërore që na bashkojnë.
Data: 16 Nëntor 2025
Ora: 18:30
Vendi: Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë
Të gjithë të interesuarit u ftuan të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi për të rizbuluar bukurinë, dinjitetin dhe trashëgiminë e kulturës sonë.



