Në një atmosferë letrare dhe dialogu kulturor, në Athinë u promovua libri “Lindur së prapthi” (“Αναποδογεννημένη”) i autores Rita Filipi, në ambientet e Black Duck. Aktiviteti u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, në bashkëpunim me shtëpitë botuese “Bythebook” dhe “ALBAS”.
Vepra, e përkthyer në gjuhën greke nga Nikos Kacalidhas, sjell një qasje intime dhe reflektuese mbi identitetin, kujtesën dhe marrëdhëniet njerëzore. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, botues, artistë, si dhe dashamirës të letërsisë nga komuniteti shqiptar dhe grek. Ndër të pranishmit ishte edhe Udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Greqi, z. Fitim Gllareva, si dhe drejtuesja e shtëpisë botuese “By the Book”, znj. Meri Thermioti.

Në fjalën e saj, Ambasadorja Hajdaraga theksoi rëndësinë e promovimit të letërsisë shqipe jashtë vendit, duke e cilësuar atë si një urë të rëndësishme për forcimin e dialogut kulturor dhe afrimin mes popujve.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte interpretimi artistik i fragmenteve nga libri nga aktorja Algiona Aga dhe gazetarja Ira Londo, të cilat i dhanë veprës një dimension të gjallë dhe emocional.

Gjatë bashkëbisedimit me publikun, autorja Rita Petro ndau frymëzimin dhe emocionet që qëndrojnë pas kësaj vepre, duke vënë në dukje shkrimin si një proces çlirimi dhe vetë-njohjeje.
Ky aktivitet shërbeu si një hapësirë e rëndësishme për shkëmbim kulturor, duke bashkuar diplomatë, artistë dhe lexues në një atmosferë mirëkuptimi dhe dialogu mes Shqipërisë dhe Greqisë.



