Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Greqi “LiterArt” shënoi 20-vjetorin e themelimit me një mbrëmje të veçantë kushtuar krijimtarisë, kujtesës dhe kontributit të artistëve shqiptarë në jetën kulturore dhe në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Përvjetori u shënua me një program artistik të larmishëm, që përfshinte interpretime nga aktorë profesionistë, muzikë klasike, këngë shqiptare, si dhe një ekspozitë me vepra të piktorëve shqiptarë që kanë zhvilluar karrierën e tyre artistike në Greqi. Në kuadër të aktivitetit u ndanë edhe çmime mirënjohjeje për kontributin e dhënë ndër vite në jetën dhe veprimtarinë e shoqatës.

Në aktivitet morën pjesë Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, znj. Luela Hajdaraga, Udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Greqi, Ambasadori Fitim Gllareva, anëtarë të “LiterArt”-it dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar.


Duke vlerësuar kontributin e shoqatës gjatë këtyre dy dekadave, Ambasadorja Hajdaraga theksoi se komuniteti i artistëve ka qenë ndër grupimet që, përmes artit në të gjitha dimensionet e tij, ka promovuar kulturën shqiptare, ka ndërtuar ura të qëndrueshme lidhëse me kulturën greke dhe ka kontribuar e vijon të kontribuojë në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.

Përmes artit, letërsisë dhe gjuhës shqipe, “LiterArt” ka dhënë ndër vite një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe përcjelljen e identitetit kulturor shqiptar, si dhe në forcimin e dialogut dhe mirëkuptimit kulturor shqiptaro-grek.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë i uron “LiterArt”-it një rrugëtim të gjatë dhe të suksesshëm artistik dhe shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që, përmes krijimtarisë dhe përkushtimit të tyre, kanë kontribuar në pasurimin e jetës kulturore dhe në forcimin e miqësisë mes dy vendeve.

Foto: Sokol Bara



