Në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit, u zhvillua një agjendë e gjerë takimesh të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha, Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahima, Drejtoreshës Ekzekutive të Korporatës së Investimeve Shqiptare, znj. Elira Kokona, si dhe delegacioneve përkatëse.
Në fokus të kësaj agjende qendroi forcimi i marrëdhënieve shqiptaro-greke, i udhëhequr nga një frymë e re bashkëpunimi dhe besimi të ndërsjellë.
Në këtë kuadër, me ftesë të Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, u zhvillua një takim në Pallatin Kryeministror me Kryeministrin Edi Rama, takim i cili rikonfirmoi vullnetin e përbashkët për avancimin e një partneriteti strategjik dhe adresimin konstruktiv të çështjeve të mbartura mes dy vendeve.

Në të njëjtën frymë, takimi ndërmjet Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha dhe homologut të tij grek, Giorgos Gerapetritis, në Delfi, shënoi një hap të rëndësishëm në thellimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit në fusha prioritare si energjia, infrastruktura dhe turizmi.
Bashkëbisedimi në FED i Kryeministrit Edi Rama me kryeredaktorin e Kathimerini, z. Alexis Papachelas, si dhe pjesëmarrja e Ministrit Hoxha në takimin ministerial dhe panelet e Forumit, sollën në vëmendje prioritetet strategjike të Shqipërisë dhe rajonit.
Në këtë kontekst, theksohet rëndësia e Deklaratës së Delfit 2026 dhe miratimi i saj nga ministrat dhe përfaqësuesit pjesëmarrës, e cila mbështet përshpejtimin e negociatave për vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë, dhe sinjalizon angazhimin e ripërtërirë të BE-së për zgjerim deri në vitin 2030.

Ministri Ferit Hoxha zhvilloi gjithashtu një takim me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, duke theksuar nevojën për koordinim të vazhdueshëm dhe përshpejtim të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Agjenda u pasurua me takime bilaterale me përfaqësues të lartë të vendeve partnere, si dhe me dimensionin e diplomacisë ekonomike dhe publike përmes dy tryezave të organizuara nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi në bashkëpunim me Fondacionin Helen për Politike Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP) dhe Unionin Helen të Sipërmarrësve (EENE), në partneritet me Fortune Greece.
Diskutimet me akademikë, analistë dhe përfaqësues të biznesit kontribuuan në thellimin e dialogut mbi zhvillimet rajonale, procesin e integrimit europian dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Një moment kyç ishte finalizimi i nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Korporatës së Investimeve Shqiptare dhe Growthfund Greece, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi, i cili hap perspektiva të reja për bashkëpunim ekonomik dhe projekte strategjike të përbashkëta.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë shpreh mirënjohje të thellë për z. Symeon Tsomokos, President i Delphi Economic Forum, z. Ioannis Armakolas, Drejtues i South-East Europe Programme në ELIAMEP, z. Pavlos Efthimiou, Drejtor i Përgjithshëm i Hellenic Entrepreneurs Association (EENE), si dhe përfaqësuesve diplomatikë të institucioneve qendrore dhe përfaqësive të huaja në Greqi, për kontributin e tyre në suksesin e kësaj agjende.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi mbetet e angazhuar në ndjekjen e objektivave dhe angazhimeve të dakordësuara.



