Takim sektorial i organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë, me fokus nxitjen e investimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë organizoi, më 24 tetor 2026, takimin sektorial “Building the Future”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komuniteteve të biznesit shqiptar dhe grek, aktivë në sektorët e ndërtimit, pasurive të paluajtshme dhe industrive të ndërlidhura.
Në takim morën pjesë gjithashtu Ambasadorja e Republikës Socialiste të Vietnamit në Greqi, znj. Pham Thi Thu Huong, Konsulli i Nderit i Vietnamit në Shqipëri, z. Sokol Topçiu, si dhe një delegacion sipërmarrësish vietnamezë, në vijim të një misioni të suksesshëm biznesi në Shqipëri.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, vuri në dukje potencialin investues të Shqipërisë, veçanërisht në sektorët e ndërtimit, pasurive të paluajtshme dhe turizmit, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Duke iu referuar zhvillimeve ekonomike, Ambasadorja theksoi se, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën në 1,14 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej rreth 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Gjatë kësaj periudhe, stoku i investimeve greke në Shqipëri u rrit me 8,6%, ndërsa fluksi i tyre me 33,3%.

Duke nënvizuar rëndësinë e investimeve cilësore dhe afatgjata, Ambasadorja Hajdaraga u shpreh:
“Ambicia jonë nuk është thjesht të tërheqim më shumë kapital. Synimi është të nxisim investime cilësore dhe të qëndrueshme, që sjellin teknologji, eficiencë energjetike, standarde të larta ndërtimi, vende pune dhe vlerë afatgjatë për ekonominë dhe komunitetet vendase.”
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të komunitetit shqiptar të biznesit në Greqi si një urë e rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet ekonomive të dy vendeve, si dhe nevojës për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare në përgjigje të sfidave të sipërmarrjes.

Në këtë kuadër, diskutimet u përqendruan edhe në nevojat për fuqi punëtore në sektorin e ndërtimit. Pjesëmarrja e kompanive vietnameze të specializuara në fushën e burimeve njerëzore krijoi mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe shqyrtimin e perspektivave konkrete të bashkëpunimit.
Takimi konfirmoi rëndësinë e diplomacisë ekonomike si instrument për forcimin e dialogut ndërmjet komuniteteve të biznesit, promovimin e investimeve të qëndrueshme dhe identifikimin e mundësive për zhvillimin e projekteve të përbashkëta.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë mbetet e angazhuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri–Greqi, zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe promovimin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për investime cilësore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit evropian të vendit.
Së bashku ndërtojmë të ardhmen.



