Më 17 prill 2026, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë u organizua ekspozita fotografike e artistit Saimir Ahmeti, në bashkëpunim me Shoqatën Fierake në Greqi “Myzeqeja”.
Ekspozita solli për të pranishmit një reflektim artistik të ndjeshëm dhe bashkëkohor mbi jetën dhe rolin e gruas shqiptare, duke vënë në pah kontributin e saj të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në shoqëri. Përmes një qasjeje estetike dhe narrative, veprat e ekspozuara trajtuan dimensione sociale dhe njerëzore që nxisin reflektim dhe ndërgjegjësim.

Në këtë aktivitet morën pjesë artistë, dashamirës të artit, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në diasporë, duke kontribuar në krijimin e një atmosfere të ngrohtë, bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse.
Përmes gjuhës së fotografisë, artisti përcolli histori autentike dhe emocione të thella, të cilat u vlerësuan për realizmin, ndjeshmërinë dhe mesazhet e tyre shoqërore.
Programi artistik u pasurua me elementë të traditës folklorike myzeqare. Këngëtarja Brunilda Sota Hoxha, e shoqëruar nga saksofonisti Rik Hoxha, solli një interpretim të veçantë për publikun. Aktiviteti vijoi me performancën e valles dyshe myzeqare, një element i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore shqiptare, për të cilin po punohet për përfshirjen në listën e UNESCO-s.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë mbetet e përkushtuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë, si dhe në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet artistëve shqiptarë, duke afruar më pranë publikut krijimtarinë dhe arritjet e tyre dhe duke forcuar identitetin kombëtar përtej kufijve.
Fotografi: Fred Prendushi Pali



