Në kuadër të promovimit të diplomacisë ekonomike dhe forcimit të bashkëpunimit institucional ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, përfaqësuesja e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, znj. Joana Zhonga, zhvilloi një takim pune me Presidentin e Autoritetit të Unifikuar Grek për Kontrollin e Ushqimit (EFET), Prof. Antonis Zampelas.
Në takim morën pjesë gjithashtu znj. Vasiliki Giannouli, Përgjegjëse e Departamentit të Mishit dhe Produkteve të Peshkut në Drejtorinë e Sigurisë Ushqimore, si dhe znj. Fotini Tzoumanika, Përgjegjëse e Drejtorisë së Vlerësimit të Rrezikut dhe Ushqyerjes pranë EFET-it.
Takimi u përqendrua në perspektivat e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) të Republikës së Shqipërisë dhe EFET-it, me synim thellimin e dialogut teknik dhe zhvillimin e mekanizmave të qëndrueshëm të bashkëpunimit në fushën e sigurisë ushqimore.
Palët evidentuan rëndësinë e shkëmbimit të ekspertizës dhe praktikave më të mira, veçanërisht në fushën e vlerësimit të rrezikut, kontrolleve zyrtare dhe sigurisë ushqimore. Në këtë kuadër, u ra dakord për vijimin e kontakteve ndërinstitucionale dhe organizimin e një takimi të parë virtual ndërmjet ekspertëve të dy institucioneve.
Gjithashtu, u diskutua mundësia e krijimit të një kuadri formal bashkëpunimi nëpërmjet nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU), si dhe zhvillimi i vizitave reciproke institucionale me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e kapaciteteve profesionale.
Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit dypalësh dhe për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm në një fushë me rëndësi të veçantë për mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetin publik.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë shpreh mirënjohjen e saj ndaj Prof. Antonis Zampelas dhe drejtuesve të EFET-it për mikpritjen dhe frymën konstruktive të bashkëpunimit.



