Në kuadër të 55-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, në ambientet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Athinës (ACCI – Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Athinës) u zhvillua Forumi i 3-të Ekonomik Shqipëri–Greqi dhe sesionet B2B, një platformë e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investues ndërmjet dy vendeve. Forumi u organizua në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT – Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë), me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi dhe institucioneve përkatëse të të dy vendeve.
Forumi u hap nga Presidenti i ACCI-së, Ioannis Bratakos, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga, si dhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka. Fjalë përshëndetëse mbajtën gjithashtu Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit i Republikës së Shqipërisë, Enkelejd Musabelliu, dhe Zëvendësministri i Zhvillimit për Kërkimin dhe Inovacionin i Republikës së Greqisë, Stavros Kalafatis.

Gjatë forumit u vlerësua dinamika pozitive e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë dhe u theksua rëndësia e forcimit të mekanizmave të qëndrueshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve të biznesit të të dy vendeve. Pala greke vlerësoi potencialin në rritje të ekonomisë shqiptare dhe klimën gjithnjë e më të favorshme për investime, ndërsa pala shqiptare nënvizoi rolin strategjik të Greqisë si partner ekonomik dhe investues në rajon. Në këtë kuadër, u theksua nevoja për rritjen e shkëmbimeve tregtare, zgjerimin e investimeve të ndërsjella dhe mbështetjen e sipërmarrjeve në sektorë prioritarë të ekonomisë.
Në sesionet tematike dhe prezantuese kontribuan përfaqësues të institucioneve kryesore të zhvillimit dhe promovimit të investimeve, përfshirë Laura Plaku nga AIDA – Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Julian Adili nga ASDRE – Albanian State Development & Real Estate, Hilda Alisandratou nga Enterprise Greece, Dritan Delija nga TEDA Tirana dhe Vahidije Kadiu nga Durana Tech Park. Gjatë këtyre sesioneve u prezantuan mundësi konkrete bashkëpunimi në fusha strategjike si energjia dhe energjia e rinovueshme, turizmi, infrastruktura, teknologjia dhe inovacioni, agroindustria, transformimi digjital, zhvillimi i qëndrueshëm dhe industritë kreative.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishin takimet B2B ndërmjet sipërmarrjeve shqiptare dhe greke, të cilat mundësuan kontakte të drejtpërdrejta dhe identifikimin e partneriteteve të reja tregtare dhe investuese. Takimet u vlerësuan si të suksesshme dhe me potencial konkret për krijimin e bashkëpunimeve dhe marrëveshjeve të ardhshme.

Ky forum riafirmoi angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike Shqipëri–Greqi dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve të biznesit, duke e konsideruar diplomacinë ekonomike si një prioritet të rëndësishëm në nxitjen e investimeve, partneriteteve dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon.



