Në ambientet e New York College në Athinë u zhvillua Forumi i Parë i Bizneseve Shqiptare në Shqipëri dhe Greqi, organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi në partneritet me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.
Forumi mblodhi sipërmarrës shqiptarë me aktivitet në Shqipëri dhe Greqi, me synimin për të krijuar një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve të biznesit shqiptar në të dy vendet, si dhe për të promovuar Shqipërinë si një destinacion konkurrues për investime dhe partneritete afatgjata.

Aktiviteti u hap nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, si dhe Kryetari i Komisionit Shqiptaro-Grek të Dhomës Tregtare të Profesionistëve të Athinës, z. Kristaq Konduri.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Hajdaraga vlerësoi rolin strategjik të komunitetit të biznesit shqiptar në Greqi si një urë ekonomike dhe institucionale ndërmjet dy vendeve. Ajo evidentoi zhvillimet pozitive të ekonomisë shqiptare, reformat në mbështetje të investimeve dhe potencialin që ofrojnë sektorë të tillë si turizmi, energjia, teknologjia dhe infrastruktura. Gjithashtu, Ambasadorja theksoi rëndësinë e diplomacisë ekonomike si një instrument konkret për nxitjen e partneriteteve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, duke inkurajuar komunitetin e biznesit shqiptar në Greqi të eksplorojë mundësitë që ofron tregu shqiptar.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, nënvizoi rëndësinë e krijimit të rrjeteve të qëndrueshme të bashkëpunimit ndërmjet sipërmarrësve shqiptarë në rajon dhe evidentoi avantazhet konkurruese që Shqipëria ofron për investime në sektorë prioritarë.


Nga ana e tij, z. Kristaq Konduri prezantoi veprimtarinë e Komisionit Shqiptaro-Grek të Dhomës Tregtare të Profesionistëve të Athinës dhe theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve ndërmjet komuniteteve të biznesit të dy vendeve në funksion të nxitjes së investimeve, shkëmbimeve tregtare dhe projekteve të përbashkëta.

Në vijim të forumit u zhvilluan prezantime institucionale nga përfaqësues të Albanian State Development & Real Estate (ASDRE), TEDA Tirana dhe Durana Tech Park, të cilët prezantuan mundësitë konkrete për investime dhe zhvillim në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare.
Diskutimet u përqendruan në fusha me potencial të lartë zhvillimi, përfshirë teknologjinë dhe inovacionin, turizmin, energjinë e rinovueshme, agrobiznesin, ndërtimin dhe industrinë farmaceutike. Takimet B2B dhe sesioni i rrjetëzimit krijuan kontakte konkrete bashkëpunimi ndërmjet sipërmarrjeve shqiptare në të dy vendet dhe kontribuan në identifikimin e mundësive të reja për partneritete dhe investime.

Forumi konfirmoi interesin në rritje të komunitetit të biznesit shqiptar në Greqi për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë dhe evidentoi rolin e rëndësishëm të diplomacisë ekonomike në mbështetje të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve.



