Me nisjen e vitit të ri shkollor 2026-2027, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi zhvilloi një takim virtual me rreth 80 mësues të kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi.
Në takim morën pjesë mësues të programit “Mësues për Greqinë”, mësues të kurseve plotësuese të gjuhës shqipe, si dhe anëtarë të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi. Bashkëbisedimi u përqendrua te sfidat, nevojat dhe mundësitë për forcimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.
Ministrja e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro Furxhi, përshëndeti takimin dhe vlerësoi përkushtimin e mësuesve për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për rritjen e numrit të mësuesve shqiptarë në Greqi, në kuadër të programit “Mësues për Greqinë”.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Hajdaraga vlerësoi rolin e mësuesve dhe të komunitetit shqiptar, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar te brezat e rinj.
Një rol të veçantë në këtë përpjekje vijon ta ketë Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, e cila, përmes angazhimit dhe bashkëpunimit të mësuesve, kontribuon në forcimin e mësimit të gjuhës shqipe dhe në ruajtjen e lidhjes së brezave të rinj me gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Në takim morën pjesë gjithashtu Zëvendësministrja e Arsimit, znj. Orjana Osmani; Konsullja e Përgjithshme në Selanik, znj. Erida Dobrushi; Kryetarja e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, znj. Klarita Selmanaj; Drejtorja e Diplomacisë Ekonomike, Kulturës dhe Diasporës në MEPJ, znj. Silvana Leskaj; Drejtorja Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa; Drejtorja e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa; znj. Erida Koleci nga ASCAP; diplomatja znj. Joneda Dodaj; si dhe Dr. Stavri Dajo nga Universiteti Aristoteli i Selanikut.
Shihni këtu pamje nga takimi me mësuesit e gjuhës shqipe në Greqi, të cilët çdo ditë kontribuojnë në ruajtjen, mësimin dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e rinj:
Sepse pas çdo ore mësimi qëndron një mision më i madh: të sigurojmë që gjuha shqipe të vazhdojë të flitet, të mësohet dhe të përcillet brez pas brezi.



