Në kuadër të përmbylljes së vitit shkollor, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, mori pjesë në aktivitetin festiv “Një ditë plot ngjyra dhe shqip”, të organizuar nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, me kryetare znj. Klarita Selmanaj, në Parkun Qendror “Rizari” në Athinë.

Duke përshëndetur fëmijët, prindërit dhe mësuesit e pranishëm, Ambasadorja Hajdaraga vlerësoi punën e palodhur të mësuesve të gjuhës shqipe dhe rolin e tyre thelbësor në ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare ndër breza. Ajo ritheksoi angazhimin e Ambasadës për të mbështetur mësimin e gjuhës shqipe dhe promovimin e kulturës shqiptare, si ura të rëndësishme lidhëse të brezit të ri me rrënjët dhe vlerat kombëtare.

Në një atmosferë festive të mbushur me këngë, recitime, lojëra dhe aktivitete krijuese, Ambasadorja ndau momente të veçanta me fëmijët dhe mësuesit, duke u bërë pjesë e një feste që pasqyroi gjallërinë e komunitetit shqiptar dhe dashurinë për gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Aktiviteti u nderua gjithashtu nga prania e Udhëheqësit të Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë, z. Fitim Gllareva, Zëvendëskryetarit të Bashkisë së Athinës, z. Thomas Georgiadis, si dhe Kryetares së Komunitetit Shqiptar në Greqi, znj. Rovena Xhori.

Një falënderim i veçantë iu shpreh z. Luan Kukaj, sipërmarrës shqiptar, për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij aktiviteti.




