Në datat 13-15 prill, në Tiranë u zhvillua Samiti IV i Diasporës me temën “Nga rrënjët lartësohemi”, i cili mblodhi mijëra shqiptarë nga e gjithë bota, të angazhuar në fusha të ndryshme të jetës shoqërore, profesionale dhe kulturore, duke dëshmuar kontributin e tyre të çmuar në vendet ku jetojnë dhe veprojnë.
Komuniteti shqiptar në Greqi u dallua për një pjesëmarrje të gjerë dhe cilësore, duke sjellë kontribute të rëndësishme në diskutimet dhe trajtimin e çështjeve me interes për diasporën.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, e cila, përmes takimeve me përfaqësues të institucioneve dhe grupeve të interesit, përcolli zërin, shqetësimet dhe prioritetet e komunitetit shqiptar në Greqi, duke forcuar më tej lidhjet e diasporës me institucionet në atdhe. Gjithashtu, diplomatët përgjegjës për çështjet sektoriale të diasporës kontribuuan në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet përfaqësuesve të komunitetit, institucioneve publike dhe aktorëve të fushave të biznesit, kulturës dhe arsimit.
Diskutimet në panelet tematike u pasuruan nga kontributi i personaliteteve të njohura të gjuhësisë shqiptare në Greqi, z. Stavri Dajo dhe z. Dhori Qirjazi, si dhe nga z. Luan Kukaj, përfaqësues i spikatur i sipërmarrjes shqiptare në Greqi. Përmes ideve dhe përvojës së tyre, ata theksuan rolin aktiv dhe të rëndësishëm të diasporës në zhvillimin e vendit dhe mbështetjen e tij nga jashtë.

Një moment i veçantë i Samitit ishte vlerësimi me çmimin “Shqiponja e Artë” i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, për kontributin e vyer në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar, si dhe i aktorit Nikolla Llambro, për promovimin e kulturës shqiptare. Po ashtu, përkthyesja Orgesa Kodhelaj u nderua me çmimin “Jusuf Vrioni”, në shenjë vlerësimi për kontributin e saj në fushën e përkthimit dhe kulturës.
Samiti përfshiu gjithashtu panele tematike, takime B2B, prezantime projektesh dhe aktivitete kulturore, duke krijuar hapësira konkrete për bashkëpunim, rrjetëzim dhe zhvillim iniciativash të përbashkëta.
Ky takim rikonfirmoi rëndësinë e bashkimit dhe bashkëpunimit të diasporës, duke përcjellë mesazhe të qarta uniteti, angazhimi dhe vizioni për të ardhmen.

“Nga rrënjët tona lartësohemi, të bashkuar forcohemi.”
Mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuuesit në këtë aktivitet të rëndësishëm.



