Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Nufi, priti në Tiranë Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Greqisë, z. Nikos Dendias, në kuadër të një vizite zyrtare me rëndësi të veçantë për forcimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi koordinimin në kuadër të NATO-s, zhvillimet gjeopolitike në rajon, sigurinë në Mesdheun Lindor, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, sigurisë kibernetike dhe adresimit të sfidave të reja strategjike.
Në kuadër të vizitës, Ministri grek i Mbrojtjes u prit gjithashtu nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, me të cilin u riafirmua rëndësia e partneritetit Shqipëri-Greqi në funksion të stabilitetit, sigurisë dhe perspektivës evropiane të rajonit.

Në këto takime ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga.
Vizita konfirmoi nivelin e lartë të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, si vende aleate në NATO dhe partnerë të rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.



