Në kuadër të Forumit të 3-të Ekonomik Shqipëri-Greqi, u zhvillua një takim dypalësh ndërmjet Presidentit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Athinës, z. Ioannis Bratakos, dhe Presidentit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, në praninë e delegacioneve shoqëruese.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet komuniteteve të biznesit të dy vendeve, si dhe mbi forcimin e mekanizmave institucionalë që mbështesin investimet reciproke dhe nismat e përbashkëta sipërmarrëse.

Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, vlerësoi rolin e rëndësishëm të diplomacisë ekonomike në promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Ajo theksoi potencialin e konsiderueshëm për bashkëpunim në sektorë strategjikë si turizmi, energjia, infrastruktura dhe investimet, duke nënvizuar gjithashtu kontributin e dhomave të tregtisë në nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset shqiptare dhe greke.
Bashkëbiseduesit riafirmuan angazhimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përfaqësuese të biznesit dhe për vijimin e nismave që kontribuojnë në rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet sipërmarrjeve të dy vendeve.

Në përfundim të takimit, Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, i adresoi një ftesë zyrtare Presidentit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Athinës, z. Ioannis Bratakos, për të vizituar Tiranën dhe për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Ekonomik Shqipëri–Greqi, i cili parashikohet të zhvillohet në Shqipëri. Ftesa u mirëprit nga pala greke, e cila shprehu gatishmërinë për të vijuar dhe institucionalizuar më tej këtë format të rëndësishëm të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.



