Enkeleda Mërkuri, një diplomate e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, me gradën diplomatike, Ministër-Këshilltare, është dekretuar Ambasadore Rezidente e Republikës së Shqipërisënë Republikën e Sllovakisë, më 8 Qershor 2016. Në shtator 2015, zonja Mërkuri është paraqitur në Bratislavë, ku ka marrë detyrën e të Ngarkuarës me Punë a.i në Ambasadën e RSH në Sllovaki.
Nga tetori 2011 deri në 2015 ka shërbyer si Ministër Këshilltare në Ambasadën e RSh në Athinë, e ngarkuar me bashkëpunimin politik e ekonomik të kuadrit dypalësh. Përgjatë Presidencës greke të Këshillit të BE-së, E. Mërkuri ka qenë e ngarkuar si person-koordinues për pjesëmarrjen dhe ndjekjen e aktiviteteve të parashikuara nga vendi pritës për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe Shqipërinë.
Nga 2006 deri më 2010, me gradën Këshilltare, zonja Mërkuri ka shërbyer në Drejtorinë e Përgjithshme të Cështjeve Rajonale, e ngarkuar me dosjen e Greqisë e Qipros. Kjo periudhë paraprihet nga një emërim tre vjecar në Ambasadën e RSh në Athinë, ku ka qenë e ngarkuar me mediat e shtypin, si dhe komunitetin shqiptar që jeton e punon në territorin grek. Përpara vitit 2003, ajo ka punuar në Drejtorinë e Organizatave të OKB-së dhe Nismave Rajonale, e ngarkuar me Nismat rajonale, si: Pakti i Stabilitetit, CEI- Nisma e Evropës Qendrore; BSEC – Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi; si dhe AII – Nisma Adriatiko-Joniane; ku ka shërbyer si desk-officer që me fillimin e punës në këtë institucion, Prill 2000.
Përpara se t`i bashkohej Shërbimit të Jashtëm, Ambasadorja Mërkuri ka qenë e angazhuar në shoqërinë civile, duke filluar angazhimin e saj pas përfundimit të studimeve, me delegacionin frankofon të Kryqit të Kuq dhe Gjysëmhënës së Kuqe, për programet sociale. Më tej në shoqata të ndryshme si YWCA, APP, Shoqata e Planifikimit Familjar, Forumi i Shoqatave Shqiptare, koordinatore për programin INTERREG, etj; me fokus cështjet e migracinit dhe barazisë gjinore.
Paralelisht ka qenë pedagoge në Universitetin e “Aleksander Xhuvani”, lektore për fushënn e Marrëdhënieve me Jashtme dhe Marrëdhënieve me Publikun. Ajo është diplomuar në Fakultetin Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, në vitin 1992.
Ambasadorja Mërkuri është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve.
Gjuhët e huaja: Frëngjisht, Anglisht, Italisht e Greqisht.