Kryeministri Rama merr pjese ne Samitin e Vjenes

Kryeministri Edi Rama mori sot pjesë në Samitin “Migrimi përgjatë rrugës ballkanike” në Vjenë, Austri, me ftesë të kancelarit austriak Christian Kern. Samiti bashkoi në një diskutim të përbashkët për çështjen e refugjatëve, kryeministrat e vendeve të Ballkanit, kancelarin austriak Christian Kern, kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministrin e Hungarisë Victor Orban, të Sllovenisë Miro Cerar, si dhe Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk.

Kryeministri Rama shprehu në Samit gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë pjesë e një zgjidhjeje të përbashkët. Qëndrim, të cilin Kryeministri e nënvizoi edhe në një prononcim në përfundim të punimeve të Samitit:

“Shqipëria ka pozicionin e saj të qartë qysh në fillim, jemi gati të marrim pjesë në këtë përpjekje, nëse kjo është e përbashkët, e mirëorganizuar, e koordinuar dhe e ndershme për të gjitha vendet. Shqipëria as mund të çeli kufijtë e të nxjerrë gjoksin përpara, as nuk sillet si disa vende që faktikisht tradhtojnë vlerat e parimet e Bashkimit Europian, kur flasin dhe i qasen çështjes së refugjatëve.”

Kryeministri e vlerësoi Samitin edhe si një rast për të dëshmuar forcimin e reputacionit të Shqipërisë.

“Nga ana tjetër ishte një rast shumë i mirë për të parë, edhe në sensin e marrëdhënieve tona me të tjerët, forcimin e reputacionit të vendit tonë si një vend ku ka një vullnet të gjithëpranuar botërisht për reformën në drejtësi, për luftën kundër krimit, kundër trafiqeve dhe kundër korrupsionit. Kjo ishte nota pozitive për mua dhe shpresoj shumë të marrim atë që na takon mbas gjithë kësaj pune të madhe që kemi bërë, rekomandimin për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, që na fut në një fazë të re gjatë mandatit të dytë të qeverisjes.”

* * *

Kryeministri Rama zhvilloi një takim dypalësh në zyrën e kancelarit, me homologun Christian Kern, me të cilin bisedoi rreth reformave të qeverisë, duke u ndalur tek reforma në drejtësi dhe nevoja për të ecur përpara me procesin e integrimit europian.

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve ishte një tjetër temë, për të cilën Kryeministri Rama dhe Kancelari Kern bashkëndanë vullnetin për të shfrytëzuar çdo hapësirë që rrit shkëmbimet tregtare dhe mundësitë e biznesit për të shtrirë investimet e tyre.

Në takim u bisedua edhe për situatën e re të krijuar në Ballkan dhe bashkëpunimit rajonal, i cili po forcohet më tej përmes Procesit të Berlinit.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ventúrska 277/16,
811 01 Bratislava

Slovak Republic

Tel / Fax

Tel: 004212 638 100 50
Emergency call:
00421 904 801 391

E-MAIL

embassy.bratislava@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00