Panele diskutimi me fokus strukturimin dhe institucionalizimin e marrëdhënieve me Diasporën

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në kuadër të Samitit të Diasporës, u organizuan disa panele diskutimi të cilat kishin në fokus strukturimin, ndërveprueshmërinë, format dhe mënyrat më praktike për të arritur një organizim më bashkëkohor të Diasporës.

Një prej temave të diskutuara ishte Reforma e shërbimeve konsullore e ndërmarrë nga Ministria e Punëve të Jashtme e cila synon ofrimin e shërbimeve transparente dhe me kosto të ulët për shtetasit shqiptarë. Në këtë kontekst, përmirësimet e fundit të kuadrit ligjor, thjeshtëzimi i praktikave dhe modernizimi i infrastrukturës kanë rritur shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimeve konsullore të ofruara.

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, u ndalën në bashkëpunimin e përbashkët konsullor në kuadër të Partneritetit Strategjik midis dy vendeve tona, i cili po thellohet më tej përmes veprimeve konkrete, siç ishte çelja e Konsullatës së Përbashkët në Mynih, pas asaj të Milanos, si dhe ofrimit të shërbimeve konsullore në Bari, me synimin për të ndjekur këtë praktikë edhe në vendet e tjera me interes të përbashkët.

Ministri Bushati u ndal në reformën e shërbimeve konsullore, ku veç rritjes së gamës së shërbimeve nëpërmjet aplikimit të teknologjisë digjitale, uljes së çmimeve për shërbimet, përdorimit të aplikacionit E-Konsullata është rritur ndërveprueshmëria mes MPJ dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut dhe ky bashkëpunim do të njohë një dimension tjetër me zbatimin e Konsullatës digjitale.

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri u ndal në rëndësinë e procesit të regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut si një nismë që do të krijojë mundësinë për të pasur të dhëna konkrete dhe të besueshme për të gjithë shqiptarët me banim jashtë vendit, mbi shtrirjen e tyre gjeografike dhe strukturën demografike, me qëllim përmirësimin e shërbimeve që do u ofrohen.

Në ambientet e MPJ u çel ekspozita “Dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët e Diasporës" e arvanitasit Panagiotis Koliomichalis. Në këtë ekspozitë u paraqitën fotografi të cilat kishin në fokus dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët e Diasporës në periudhën 1500-1899.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ventúrska 277/16,
811 01 Bratislava

Slovak Republic

Tel / Fax

Tel: 004212 638 100 50
Emergency call:
00421 904 801 391

E-MAIL

embassy.bratislava@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00