
Në datat 19 – 23 maj 2021 në Madrid u mbajt në IFEMA Panairi i Turizmit FITUR2021. Megjithë kushtet e vështira të krijuara nga pandemia ky aktivitet u mbajt me sukses të plotë. Shqipëria kishte dhe këtë vit stendën e saj.
Me ftesë të Qeverisë Spanjolle në aktivitetet e FITUR 2021 mori pjesë delegacioni shqiptar i kryesuar nga Ministri për Turizmin dhe Mjedisin, z. Blendi Klosi.
Z. Klosi u prit dhe zhvilloi një takim me Ministren e Ekonomisë, Industrisë dhe Turizmit të Spanjës, znj. Maria Reyes Maroto. Takime z. Klosi pati gjithashtu dhe me Ministrin e Turizmit të Greqisë, z. Harry Theoharis, Ministren e Ekonomisë dhe Turizmit të Serbisë, znj. Tatjana Matic, Ministren e Ekonomisë së Gjeorgjisë, znj. Natia Turnava, dhe Sekretarin e Shtetit të Kroacisë për Turizmin dhe Sportet, z. Tonči Glavina.
Z. Klosi u takua dhe u prit edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, me qendër në Madrid, z. Zurab Pololikashvili.
Tema mbizotëruese e të gjithë aktiviteteve dhe takimeve të delegacionit tonë ishte rifillimi dhe rikuperimi i industrisë së turizmit, si dhe bashkëpunimi reciprok.