Vizita e Kryeministrit
Më datë 4 tetor 2021 Kryeministri, z. Edi Rama, zhvilloi në Madrid vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit të Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, z. Pedro Sanchez.
Në takimin mes të dy kryeministrave u shpreh mbështetja e plotë që Spanja i jep Shqipërisë për integrimin e saj të shpejtë në Bashkimin Evropian. U shpreh po ashtu dëshira për t’i thelluar edhe më tej cilësisht marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve tona. Dy kryeministrat firmosën dy marrëveshje dypalëshe: Marrëveshje për Lehtësimin e Bashkëpunimit Juridik dhe Memorandum Mirëkuptimi për Arsimin e Lartë.
Gjatë vizitës kryeministri ynë u prit nga Presidentja e Kongresit, znj. Meritxell Batet. Edhe në këtë takim u konfirmua dëshira për të zgjeruar edhe më tej marrëdhëniet mes të dy vendeve. U theksua rëndësia e bashkëpunimit parlamentar dhe afrimit të mëtejshëm mes shoqërive tona.
Një takim me interes të veçantë ishte ai me Ministrin e Universiteteve, z. Manuel Castells Oliván, qëllimi i të cilit ishte marrja e ekspertizës më të mirë dhe mbështetjes për Universitetet Shqiptare, si dhe fillimi i shkëmbimeve mes Universiteteve. Në shërbim të këtij objektivi ishte dhe përfundimi i memorandumit të sapo nënshkruar.
Vëmendje të veçantë gjatë kësaj vizite iu dha shkëmbimeve ekonomike e të biznesit. Gjatë takimit në Konfederatën e Sipërmarrësve, ku ishin të pranishëm Sekretarë Shteti të Ministrisë së Jashtme dhe Ekonomisë, dhe drejtuesit konfederatës së Sipërmarrësve dhe të Dhomave të Tregëtisë, kryeministri, z. Edi Rama, dhe delegacioni, patëm mundësinë të shkëmbenin ide të vlefshme për shfrytëzimin e potencialeve të mëdha që ka në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona.