Më datë 25 nëntor 2021, në ambientet e Shkollës së Lartë të Hotelerisë së Lozanë (EHL), një nga shkollat më prestigjioze në botë, u organizua mbrëmje festive me rastin e 109 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, Ditës së Flamurit Kombëtar.
Grupi organizator, në përbërje të të cilit kishte përfaqësues të studentëve shqiptarë të kësaj shkolle, punonjës shqiptarë në këtë institucion, anëtarë të komunitetit shqiptar të angazhuar në jetën publike të kantonit të Vaud dhe përfaqësues të medias më të njohur të diasporës shqiptare, Albinfo, kishin ndërthurur me mjeshtri elementë artistikë e protokollarë duke dhënë kështu një spektakël dinjitoz për të gjithë të pranishmit, bashkatdhetarë, miq zviceranë e të ftuar të tjerë. Nën performancën virtuoze të pianistes të njohur Ermira Lefort, këngëtarja Enkeleda Basha këndoj hyminin kombëtar.
Në këtë event u mbajt po ashtu një minutë heshtje për viktimat e aksidentit tragjik në Bullgari.
Në këtë ceremoni festive përshëndeti Ambasadori i RSH-së në Bernë, I. Gjoni, ai i Republikës së Kosovës, S.Ukelli si dhe Pascal Gautier, Drejtori për Kulturën dhe Marketingun në Shkollën e Lartë të Hotelerisë në Lozanë.
Mbrëmja u shoqërua nga performanca artistike të përgatitura posaçërisht nga artistë të mirënjohur shqiptarë në Zvicër, ku ndër to spikatën Ansambli i mirënjohur "Ilirët", Grupi muzikor "ArtBand" dhe artistë nga teatri "Kurora".