Me ftesë të Presidentes së Konfederatës së Zvicrës znj. Doris Leuthard, më 31 mars 2017, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, zhvilloi një vizitë zyrtare në Zvicër. Delegacioni që e shoqëronte përbëhej nga Ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, ajo e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, znj. Olta Xhaçka, si dhe e Arsimit, znj. Lindita Nikolla, si edhe kryetari i bashkisë së Durrësit dhe ai i Malësisë së Madhe. Vizita e Kryeministrit Rama ishte vizita e parë zyrtare e një kryeministri në Zvicër që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në vitin 1970. Po kjo vizitë po ashtu zhvillohet edhe në vigjilje të 25 vjetorit të hapjes së përfaqësisë diplomatike zvicerane në Tiranë. Delegacioni shqiptar zhvilloi bisedime me atë zviceran të kryesuar nga Presidentja Leuthard në rezidencën qeveritare Manor Lohn, Kehrsatz. Të dyja palët diskutuan mbi intesifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ndihmën zvicerane për zhvillim, rolin dhe kontributin e Zvicrës në proçeset demokratike në Shqipëri dhe në rajon, si dhe situatën politike në rajon dhe atë ndërkombëtare. Bisedimet dypalëshe u shoqëruan më pas me nënshkrimin e dy marrëveshjeve përkatësisht Marrëveshja për programin e zhvillimit rajonal në Shqipëri; Marrëveshja për nxitjen e projekteve të punësimit. Më pas znj. Leuthard shtroi një drekë zyrtare në nder të delegacionit shqiptar. Kreyministri Rama dhe delegacioni që e shoqëronte pati takim në Pallatin Federal me Kryetarin e Parlamentit, z. Jürg Stahl.